Përmes një postimi në rrjetet sociale, skuadra e Goga Basket ka konfirmuar zyrtarisht atë që ishte përfolur në media ditët e fundit. Nikola Milatovic nuk është më trajner i ekipit të meshkujve. Malazezi kishte dhënë dorëheqjen nga skuadra pas humbjes në finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Teutës, 10 ditë më parë.

Në ndeshjen që ekipi privat durrsak, që aktualisht kryeson Superligën, zhvilloi të shtunën në Shkodër në krye të skuadrës ishte emëruar përkohësisht Melsin Lazini. Ky i fundit duket se ka bindur drejtuesit e klubit për ta konfirmuar në detyrën e trajnerit, duke parë fitoren që ekipi i Goga Basket arriti ndaj Vllaznisë.

Jo vetëm kaq, por Goga Basket ka vendosur të largojë nga ekipi basketbollistin shkodran Herion Faslija, që me shumë gjasa do të rikthehet në vendlindjen e tij. Në vend të tij ekipi i Gogës ka afruar basketbollistin amerikan Aaron Moss, 28 vjeç, 1.85 metra i gjatë, një lojtar që luan në pozicionet 1-2.

Një tjetër amerikan që luan për Goga Basket, Griffin Ramme, përveç detyrës së lojtarit do të mbulojë edhe detyrën e trajnerit të ekipit U-18 për djem. Ndërsa basketbollistja e njohur vlonjate Rezarta Hoxha do të drejtojë ekipin U-16 për vajza të Goga Basket.