Pas përfundimit të sezonit sportiv 2018-2019, kampionati i basketbollit do të pësojë një “pushim” disa ditor për t’i lënë vendin Superkupës. Më datat 17 dhe 18 prill do të luhen dy ndeshjet finale të Superkupës, ku luan ekipi kampion në fuqi dhe ai fitues i Kupës së Shqipërisë.

Federata Shqiptare e Basketbollit, përmes një informacioni të shpërndarë për mediat, ka bërë me dije se ndeshja finale e femrave do të luhet mes Flamurtarit kampion dhe SH.B.Tiranës, fituese e Kupës së Shqipërisë. Kjo ndeshje do të luhet më 17 prill në Vlorë.

Ndërsa ndeshja finale e meshkujve është mes Tiranës kampione dhe Teutës, fituese e Kupës së Shqipërisë. Kjo përballje do të luhet në qytetin e Durrësit, më 18 prill dhe jo në kryeqytet, në fushën e ekipit kampion, siç është në rregullore.