Bayern Munich ka nisur bisedimet me ish-trajnerin e Real Madridit, Zinedine Zidane për të zëvendësuar Thomas Tuchel.

Gjigantët bavarez u detyruan të shikojnë festime ngazëllyese të Bayer Leverkusen, që ndalën dominimin e tyre për titullin e Bundesligës.

“Aspirinat” festuan titullin e parë pas një sezoni të pamposhtur deri më tani që i ka parë ata të shkojnë 16 pikë larg Bayern në tabelë.

Klubi njoftoi në shkurt se Thomas Tuchel do të largohet në verë pas një sezoni zhgënjyes që e pa skuadrën të eliminohej në Kupën e Gjermanisë nga një skuadrë amatore si Saarbrucken përpara se të shihte Leverkusen të fitonte titullin.

Zinedine Zidane u largua nga Real Madridi në qershor 2021 dhe nga ajo periudhë ka qënë pa ekip. Gjatë kësaj kohe ai është lakuar te Juventus, PSG, madje edhe te kombëtarja franceze.

Megjithatë, ai gjithmonë ka hezituar të bëjë hapin për t’u rikthyer në rolin e trajnerit. Por ditët e fundit Bayern Munich ka kontaktuar agjentin e tij për të përcjellë interesimin e klubit gjerman për shërbimet e tij.

Emrat e Nagelsmann, Flick dhe Mourinho-s tashmë janë paraqitur vazhdimisht si opsione të mundshme, por lëvizja e fundit nga Mynihu i referohet trajnerit që fitoi tri tituj radhazi të Champions League me Real Madridin.

Është për t’u habitur që Bayern, një ekip që zakonisht planifikon mirë paraprakisht (ata njoftuan ardhjen e trajnerëve të mëparshëm si Guardiola në janar), është ende në kërkim aktiv për kandidatin ideal.

Fakti që Champions është ende i mundur, të paktën deri më 17 prill, mund t’i ketë ngadalësuar gjërat, por siç ka mësuar MARCA, bisedimet me Zidane tashmë kanë filluar.

Javë më parë, francezi mori pjesë në një ndeshje të Juventusit dhe foli për të ardhmen e tij, duke deklaruar se gjithçka mund të ndodhë. Madje Zidane insistoi se do të donte të rikthehehj në stol.