Komisioni Evropian pritet të propozojë rregulla të reja për mbrojtjen e fëmijëve në internet, përfshirë kufizimin e krijimit të llogarive në rrjetet sociale për të miturit nën 15 vjeç pa miratimin e prindërve.
Sipas një dokumenti konfidencial të siguruar nga Euronews, propozimi “EU Kids Act” pritet të prezantohet të enjten dhe synon vendosjen e rregullave të përbashkëta në të gjithë Bashkimin Evropian. Masat do të prekin platforma si Instagram, TikTok dhe YouTube, por edhe videolojërat dhe chatbotët e bazuar në inteligjencën artificiale.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet ta prezantojë nismën gjatë fjalimit të saj për Gjendjen e Bashkimit Evropian, ndërsa projektligji pritet të publikohet të enjten.
Sipas draftit, fëmijët nën 15 vjeç nuk do të mund të krijojnë llogari në rrjetet sociale apo platformat e shpërndarjes së videove pa miratimin e prindërve. Për moshat nën 3 vjeç parashikohet ndalim i plotë i aksesit në rrjetet sociale dhe shërbimet e tjera me rrezik të lartë.
Fëmijët nga 3 deri në 13 vjeç do të mund të përdorin shërbime të përshtatura për moshën e tyre, nën mbikëqyrjen e një të rrituri. Për moshat 13 deri në 15 vjeç parashikohet akses i kufizuar në rrjetet sociale dhe platformat e videove, së bashku me kontrolle prindërore. Ndërsa të rinjtë nga 15 deri në 18 vjeç do të mund t’i përdorin platformat pa miratimin e prindërve, por kompanitë do të kenë ende detyrime për sigurinë e tyre.





