Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar paketën e 21-të të masave kufizuese kundër Rusisë, duke zgjeruar sanksionet ndaj sektorëve që, sipas Brukselit, mbështesin ekonominë ruse dhe financimin e luftës në Ukrainë.

Sipas deklaratës së Këshillit, paketa përfshin masa të reja ekonomike që synojnë sektorët me ndikimin më të madh në aftësinë e Rusisë për të vijuar agresionin ushtarak ndaj Ukrainës.

Lista e re e sanksioneve përfshin gjithsej 218 persona dhe subjekte, mes tyre 48 individë dhe 170 entitete, duke shënuar numrin më të madh të sanksioneve të vendosura në katër vitet e fundit.

BE-ja thekson se vendimi vjen pas sulmeve të fundit ruse ndaj infrastrukturës civile në Ukrainë, përfshirë objektet energjetike, rrjetet e furnizimit me ujë, institucionet shëndetësore, si dhe monumentet kulturore dhe fetare.

“Për ta detyruar Rusinë t’i japë fund luftës së saj të paligjshme dhe të ndalojë vrasjen e civilëve, duhet të ushtrohet presion. Sanksionet tona po e rrisin këtë presion”, deklaroi Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaia Kallas.

Në sektorin financiar, sanksionet zgjerohen me ngrirjen e aseteve të 94 bankave dhe institucioneve të mëdha financiare ruse, si dhe të një drejtuesi të lartë të sistemit bankar rus.

Po ashtu, BE-ja ka zgjeruar ndalimin e transaksioneve ndaj 33 institucioneve të tjera financiare ruse dhe ka vendosur kufizime ndaj një banke në Kirgistan, të lidhur me sistemin rus të pagesave ndërbankare SPFS, si dhe ndaj tre bankave të tjera në vende të treta që dyshohet se kanë ndihmuar në anashkalimin e sanksioneve.

Masat prekin edhe sektorin e kriptomonedhave, ku 14 platforma me seli në vende të treta janë vendosur nën sanksione. Për herë të parë, BE-ja parashikon mundësinë e ndalimit të plotë të transaksioneve me ofrues të huaj të shërbimeve të kriptomonedhave që përdoren për shmangien e sanksioneve.

Në sektorin e energjisë, Bashkimi Evropian ka zgjatur deri më 15 korrik 2027 pezullimin e mekanizmit të rregullimit automatik të tavanit të çmimit të naftës ruse në 41.10 dollarë për fuçi, duke argumentuar se vendimi lidhet me paqëndrueshmërinë e tregjeve ndërkombëtare pas zhvillimeve në Ngushticën e Hormuzit.

Paketa e re forcon gjithashtu masat kundër të ashtuquajturës “flotë në hije” të Rusisë. Në listën e sanksioneve janë shtuar edhe 41 cisterna të tjera, duke e çuar numrin e përgjithshëm të anijeve të sanksionuara në 673.

Gjithashtu, janë vendosur sanksione ndaj tetë kompanive dhe një individi të përfshirë në operimin e kësaj flote, si dhe ndaj 18 kompanive dhe një personi fizik që veprojnë në sektorin e naftës, përfshirë tre rafineri ruse, një rafineri të madhe në Bjellorusi dhe kompani tregtare të akuzuara për shmangien e sanksioneve evropiane.