Agjencia e Bashkimit Evropian për Sigurinë e Aviacionit, EASA të shtunën ka bërë thirrje që linjat ajrore të shmangin fluturimet mbi Venezuelën, e cila ishte shënjestruar nga sulmet ajrore të SHBA-së.
EASA thekson se aktivizimi i mundshëm i sistemeve të mbrojtjes ajrore përbën një rrezik të lartë për fluturimet civile.
“Duke pasur parasysh sulmet amerikane dhe nivelin e lartë të tensionit në përgjithësi, Venezuela ka të ngjarë të mbajë nivele të larta gatishmërie për njësitë e saj ajrore dhe të mbrojtjes ajrore, veçanërisht në dritën e mundësisë së veprimeve të mëtejshme ushtarake të synuara,” thuhet në njoftim.
Si pas njoftimit, rreziku i llogaritjes së gabuar ose identifikimit të gabuar të avionëve vlerësohet si i lartë. Rekomandimi i EASA-s është i vlefshëm deri më 9 janar.
Pak linja ajrore evropiane ende i shërbejnë Venezuelës, pasi tensionet me SHBA-në janë rritur vazhdimisht në muajt e fundit.





