Gjithnjë kam dashur dhe kam vënë bast me veten, që hapësirat e rezervuara më temën sportive që më ofron “Dyrrah” të mos jenë të stisura dhe një mbushje formale e faqeve. Në kërkim të së veçantës, vihesh përballë tundimesh të pazakonta dhe kur i zbulon dhe aq më mirë kur i trajton me stilin origjinal tëndin, ndjen kënaqësi. Kjo për mbi çdo gjë, në shërbim e respekt të lexuesit. Pse ky epilog me natyrë refleksioni?

Përgjegjësia për të hulumtuar dhe mandej për të shkruar këto rradhë si tani, për një gjë normale në formë, por shumë të veçantë dhe pse jo edhe befasuese apo surprizante në përmbajtje. Dhe tani për kë është fjala? Quhet Agim Staka. Mosha e tij është 58 vjeçare, por pozicioni i tij krijues dhe realizues mbetet i njëjtë ndonëse vitet i mëshojnë fizikut të tij të lidhur. Kemi ndjekur shumë ekspozita piktura dhe jemi ndeshur me natyra dhe karaktere të ndryshme krijuesish.

Ndër to edhe me gjoks të rrahur nga përkëdhelitë, joshjet dhe mburrjet e pamerituara, duke të detyruar t’i mëshirosh për atë reklamë dhe bujë zhurmëmadhe. Agim Stakën e kam zbuluar me intuitën e një veterani shtypi, por edhe me shkallën intensive të komunikimit me njerëzit në mjedise të ndryshme, duke shfrytëzuar edhe ato sportivet. Para kësaj, kisha anashkaluar pa qëllim disa kërkesa të Agim Stakës për t’u njohur nga afër me punën e tij krijuese.

Në shtëpi sigurisht, sepse këtij njeriu kaq të thjeshtë, por shumë virtuoz dhe befasues zor se kujtohet ndokush t’i japë një “strehim” artistik që të mos flejë në mbrëmje dhe të zgjohet në mëngjes mbi punimet e tij artistike. Në shkrimet tona trilli është marifeti i artikullshkruesit, por në në rastin e Agim Stakës i kërkoj lexuesit të më besojë se jam i pafuqishëm jo vetëm të shtoj gjë, por edhe të mund të avancoj në mjeshtëri, pasi nuk mund të konkurojë vlerën artistike të një piktori dhe krijuesi të lindur si ai.

Kam botuar tek Teuta Sport, një krijim të stemës së KF Teuta të Agim Stakës. Por tani pas më shumë se 15 vitesh e ndjej shumë privilegjin e atij botimi, pasi autori nuk ka ndërmënd të ë japë për të dytën herë shansin e privilegjeve të tilla, për efekt të formulave që mbart tregu i hapur.

Dy orë në “ëndërr”

Një hyrje e thjeshtë, në versionin e ndërtimeve të kohës së komunizmit është shtëpia ku jeton Agim Staka. Në këndvështrimin tim e dija se do të shikoja punime apo krijime të një artisti, por në nivele krejt të zakonshme. Nuk jam kritik arti dhe aq më pak të marr përsipër të konkuroj në këtë fushë, por zor se mund të kem gabuar në arsyetimin që në studion-shtëpi të Agim Stakës kam gjetur të ulur mjeshtrinë e lartë të një artisti të reklamuar.

Siç më thotë piktori: “Janë shkruar disa rradhë për mua në gazeta, por unë edhe tani nuk prirem nga reklama dhe buja. Të kam mik të vjetër dhe prandaj dhe të ftova në shtëpi të shikosh se çfarë kam bërë tërë këto vite. Dhe të falënderoj që më begenise. Por mos shfaq shumë oreks, për t’u dhënë ndaj kërkesave të tua në pozicionin e gazetarit. Mos hyr shumë në zanatin tim për të më kërkuar për botim punime, pasi kam vendosur këtë gjë ta bëj vetëm në një rast të vetëm. Dhe ky rast lutem çdo ditë që të më vijë”.

Agim Staka është autor i qindra punimeve në formate të ndryshme, por të punuara edhe pozicione të ndryshme artistike. Kam parë punime fantastike të Papa Pavlit të dytë, Nënë Terezes, Skënderbeut, për të kaluar edhe në temat sportive ku nuk ka mbetur stemë e klubeve të njohura në Europë pa u trajtuar nga dalta apo peneli i Agim Stakës. Madje ky durrsak i mirë, i qetë, aspak deklarativ dhe pompoz më nxorri si nga dheu katër punime të nivelit shumë të lartë artistik.

Nerva, psikologji tejet e veçantë, përqendrim, durim e gjakftohtësi të pakonkurueshme, kur lëvizte nga telajo në telajo, nga punimi në punim, shija e hollë e një artisti të mirëfilltë, por që mbetet larg atij zbulimi, apo të asaj përkrahje që do t’i bënte nder jo vetëm Agim Stakës, por edhe Durrësit të vendlindjes dhe Shqipërisë

“Kisha dëshirë,- vazhdon surprizat dhe befasimet Agimi,- që tani me rastin e vizitës së zonjës Klinton në Shqipëri t’i tregoja katër punime që kanë të bëjnë me Amerikën. Shikoni këtu presidentin Obama në disa versione, Statujën e Lirisë, siglën e Departamentit të Shtetit. Punime në pikturë dhe në gdhendje në dru. Po ku e ka njeri mëndjen tek mua. Hë si të duken?!”

U ndjeva me fat, që në të enjten që kaloi intuita më çoi në takimin me Agim Stakën dhe më pas të ulem në shtëpinë e tij për të shijuar mrekullinë që më ofronte. “Do të ishte vërtet një rast i bukur, ia ktheva pasi këto punime janë frymëzuese jo vetëm në specifikën e tyre por për çdo kategori, që ndeshet në pamje të tillë të punuar me shumë art dhe mjeshtëri”.

Por Agim Staka ishte vigjilent dhe në asnjë rast nuk më ndihmonte që të dy të ishim në një mendje: Vërtet punime të mrekullueshme? Shkova tek Agim Staka i bindur të ndiqja punime me natyrë sportive, që e dija që ai i bënte. Por arti i rrallë i mjeshtrisë së tij, i kalon përmasat e specifikës të temës që mbuloj ndonëse jam i detyruar t’i qendroj besnik kësaj. Kam parë Poseidonin, por edhe pamje të ndryshme, ku tema e sportit më nxiste të kërkoja të shikoja më shumë, por edhe të ngutesha për të mbyllur angazhimin e rradhës me Dyrrahun.

Përpara meje parakalonin punime me teknika të ndryshme të klubeve të Barcelonës, Real Madridit, Liverpulit, Çelsit, Bajern Mynihut, Romës dhe Milanit, të FIFA-s dhe UEFA-së, të figurave mitike të futbollit duke nisur nga Bekenbauri, Rumenige, Balak, Maldini e deri tek mbitokësori Leo Mesi. Këtë të fundit po e “qante” në disa versione. Harrova për një çast detyrën dhe hyra edhe unë në ëndrrën e Agim Stakës.

Sfida me vetveten

Ky është edhe synimi kryesor i Agim Stakës. Është i prerë në atë që kërkon. “Dua të hap një ekspozitë jashtë shtetit. Do të isha i lumtur që këtë gjë ta bëja në Spanjë, Angli dhe Gjermani. Prandaj kam edhe shumë punime për këto tri shtete, kuptohet ku tema e futbollit dominon. Ja shikoje këtë punimin e Franc Bekenbaurit. Është viti 1988, kur ai drejtonte Gjermaninë në kampionatin europian. Është pikturë dhe jo fotografi. Jam lodhur shumë derisa arrita ta realizoj në përmasat 1m me 1.5 m. Si thua, nëse do të shikonte Bekenbauri, apo të shfaqte interes ndaj këtij punimi. Shikoje këtë punim të Barcelonës. Është bërë me adeziv. Janë me mijëra e mijëra copëza milimetrike që janë ngjitur në një mënyrë të paparë dhe që asnjë në botë nuk mund ta imitojë e jo më ta punojë. Për këtë natyrë origjinale punimesh po lodhem shumë, shumë së punuari. E veçanta, origjinalja janë dukuri të asaj që kërkoj nga vetja”.

I kërkoja të më tregonte për punimet e tij, por ndërkohë habia sa vinte e shtohej dhe e shikoja Agim Stakën si një njeri tejet të veçantë për natyrën e punimeve të tij. Më tregonte se trajton shumë mozaikun aplikativ, ku profili i arteve të aplikuara ishin shkrirë me karakterin e një artisti të papublikuar. Dhe as që kërkonte që edhe unë ta bëja një gjë të tillë. E pata shumë të vështirë të merrja edhe portretin e tij dhe ndonjë punim tjetër që unë kërkoja t’ia faqja lexuesit në gazetë.

Por për pak desh “dogja” veten, sepse Agimi reagoi të mos flisja fare për atë çka po shikoja dhe më shfaqej me një befasi hipnozituese, deri në çudi. “Nuk dua të manifestoj qoftë edhe një gram mendjemadhësi. Ja meqenëse po këmbëngul po të jap diçka, por më gjatë mos më kërko. Janë punime të pa çertifikuara që unë nuk mund t’i bëj publike. A më ndihmon të hap një ekspozitë? Çmimet punimeve të mia le t’ia japë ankandi, aty shikohet se sa vlen arti i vërtetë. Sa mund të çmohet kjo e Bekanbaurit?

Po punimi milimetrik në rimeso i Barcelonës, ku shfaqen në lëvizjen e krijimit dy pamje mbresëlënëse? Po në Angli si thua mund të kem sukses, me këtë që po sheh? Po në Amerikë? Agim Staka më pyeste krejt natyrshëm, ku thjeshtësia dhe modestia ruanin raportin më të saktë. Albume të pafund kalonim nëpër duar e punimet e tij na gëzuan deri në hutim. Nuk lëkundem në bindjen time, kjo edhe për gjykimin e thjeshtë, se tashmë jam njohur me një pjesë të punës së Agim Stakës se suksesi është pjesë e merituar e punës së tij të jashtëzakonshme, të një përqendrimi pse jo edhe mbinjerëzor teksa i është dashur të ngjisë në gjatësinë e milimetrit, mijëra e mijëra rimeso dhe adezivë dhe përpos kësaj edhe t’i japë nuanca të ngjyrave me shije të hollë artistike.

Nerva, psikologji tejet e veçantë, përqendrim, durim e gjakftohtësi të pakonkurueshme, kur lëvizte nga telajo në telajo, nga punimi në punim, shija e hollë e një artisti të mirëfilltë, por që mbetet larg atij zbulimi, apo të asaj përkrahje që do t’i bënte nder jo vetëm Agim Stakës, por edhe Durrësit të vendlindjes dhe Shqipërisë.

“Shkova në Barcelonë me punimet. Më kishin thënë se do të më pritnin. Por nuk dija gjuhën. Lekët mezi i kisha siguruar për avionin e punimet i kisha me vete. Nuk mund të qëndroja gjatë, sepse isha edhe i pamundur për të gjetur rrugët e komunikimit me personalitetet spanjolle të klubit të Barcelonës. Jam i sigurtë se këto punime, shtoj këtu edhe të Lionel Mesit, do të mirëpriten. Besoj se një ditë do të hapë ekspozitën që ëndërroj dhe vështirësitë e mia ekonomike do të ndryshojnë, por mbi të gjitha do të jem shumë i gëzuar edhe moralisht, për atë ç’kam bërë. Jeta është sfidë dhe unë do të besoj deri në fund.”

Agim Staka më shfaqte e shfaqte vazhdimisht punimet e tij. Dhe ato ishin në adezivë, në akuarel, termie (rimeso të mobiljeve), gdhendje në dru, pikturë – vizatim, bojë vaji, mozaik aplikacion, ngjitje me preçizion të lartë- kolazh etj.etj. Mrekullia e atyre punimeve, jam i bindur se do të kalojë kufijtë e Shqipërisë dhe emri Agim Staka do të vendoset përkrah emrave të famshëm të futbollistëve të atyre klubeve që ai u ka falur artin e tij. Por mbi këto punime lëviz ëndrra e një mjeshtri të daltës dhe penelit, të një njeriu të thjeshtë dhe shumë modest, të një bashkëqytetari tonë me emrin ndoshta jo shumë të dëgjuar; Agim Staka.