Nga: Shpëtim Kodra

Në përpjekjen modeste për të përkujtuar një nga figurat më madhore të kulturës sonë, Aleksandër Moisiun, dëshiroj të paraqes disa anë të portretit dhe veprimtarisë së heroit të madh të skenës, duke nënvizuar dhe kontributin shqiptar në kulturën evropiane. Njerëzit e mëdhenj të artit, letërsisë e kulturës i përkasin njerëzimit. K.Stanislavski:”Njerëzit dhe artistët e mëdhënj, si Moisiu, i përkasin gjithë botës”.Lidhur me ndriçimin sa më të plotë të veprës së tyre, shtetet demokratike bashkëpunojnë në mënyrë të frytshme e humane. Së pari, po sjell një ekstrakt nga fjala që kam mbajtur në teatrin “A:Moisiu”, më 20.10.1995 (si shef i kulturës), me rastin e dhurimit, nëpërmjet Ambasadës së Austrisë, të një fotoekspozite, kushtuar Aleksandër Moisiut, nga Muzeu Austriak i Teatrit Vienez. Një tregues shumë i bukur i bashkëpunimit kulturor ndërmjet dy popujve, ishte dhe pjesëmarrja e presidentit austriak Tomas Klestil në dorëzimin (dhurimin) e fotoekspozitës.

Nënvizova rëndësinë e kësaj dhurate për arkivin e Teatrit të Durrësit dhe shpreha mirënjohjen e thellë për popullin dhe shtetin e Austrisë, aq të shquar për traditat e mëdha kulturore e artistike. Atje personaliteti i madh i Kombit tonë kreu shkollën e mesme, u formua si një aktor i madh e pushoi së jetuari. Ky gjest fisnik përbën një tjetër homazh për artistin e madhështisë së përjetshme. Moisiu i madh në Durrës mësoi të shkruante gjuhën shqipe dhe me artin e tij që shkëlqeu e jehoi në skenat e botës, konfirmoi se edhe kombet e vegjël mund të lindin gjenialitete krijuese. Mjaftojnë interpretimet e Moisiut dhe përkthimet e F.Nolit nga Shekspiri, për t’i konsideruar ata monumente krenarie për Kombin tonë. K.Stanislavski: “Artistë e mëdhenj si Moisiu i përkasin gjithë botës”.

Në dhjetor 1921, Moisiu ka deklaruar botërisht, në një intervistë shtypi, origjinën e tij shqiptare:”Gjaku im i përket origjinës sime. Babai im është thjesht shqiptar dhe nëna ime është shqiptare nga arbëreshët”. Më 1921 dha një shfaqje në Rumani. Viktor Eftimiu është shprehur:”A. Moisiu ishte prej Durrësi, kurse unë jam prej një vendi, në afërsi të Korçës”.Ndjenjat e tij atdhedashëse A.Moisiu i ka manifestuar aq bukur edhe në takimet me studentët shqiptarë, në Vjenë më 1920, si dhe në Torino më 1933. Johanna Tervin (Moisiu):”Shqipëria është vendi që dashuroi aq shumë im shoq”.Vlerësimet për nivelin e paarritshëm të Moisiut si recitues i madh, si këngëtar magjepsës e si aktor me pasion, vullnet të rrallë e virtuozitet teknik, i kanë dhënë kritikë, dramaturgë, regjisorë dhe aktorë nga më të shquarit në botë.

G.Presburger: “Në një emision radifonik dëgjiva zërin e Moisiut. Ishte diksioni i një poezie të Verhaaren, “Era e nëntorit”.Ai zë pëshpëriste, kërciste, ulërinte, këndonte, kumbonte”. Max Brod:”Hamleti” është shkruar për Moisiun dhe Moisiu ka lindur për të interpretuar Hamletin”. Stefan Cvajg: “Moisiu, duke harruar veten si aktor, arriti të shkruante dramën “I burgosuri”,e cila, duke u bazuar mbi një shembull historik, trajtonte marrëdhëniet e njerëzores me heroiken. Paraqitet Napoleoni në internimin e tij të dytë, i kapitur, i padurueshëm. Po të kishte qenë kjo dramë pa emër, asnjë nuk do ta kishte besuar që ajo ishte shkruar prej një aktori dhe aq më pak prej A.Moisiut”.Më 1934 ka interpretuar edhe në fimin “Lorenco dei Medici”, me regji të Guido Brignone.

Në qershor 1996, së bashku me drejtorin e muzeut të kulturës popullore, dr. Sali Hidri zhvilluam një vizitë në Trieste. Pritja e këndshme që na rezervoi zv. Kryetari i Bashkisë, z.Roberto Damiani, dëshmoi gatishmërinë e plotë për të na vënë në dispozicion materialet e arkivit të muzeut teatror “Carl Scmidl”e që lidheshin me aktivitetin e A.Moisiut. Në këtë takim na shoqëroi edhe nipi i klerikut she shkrimtarit të shquar, të martirizuar nga diktatura,  Vinçenc Prendushi, emrin e të cilit mban një shkollë në Durrës. Drejtori, si dhe personeli i “Civici musei di storia ed arte”, na ndihmuan me të gjitha mundësitë, për të shfrytëzuar e fotokopjuar materialet që na duheshin. Drejtori z. Adriano Dugulin, na shoqëroi dhe në kishën greko-ortodokse të Shën Nikollës, ku gjithashtu na u dhanë të fotokopjuara dokumente, si certifikata (dëshmia e lindjes dhe pagëzimit) me nr. 17810, libri vëll. VI fq.109 etj. Dëshmia e datës 26 maj 1934 vërteton datëlindjen 2 prill 1879 dhe pagëzimin me 30 nëntor 1879 të A.Moisiut (atësia Moisi, mëmësia Amalia de Radio), në prani të kumbarëve Spiridon e Terka. Familja Moisiu kish banuar në 8 shtëpi të ndryshme në Trieste; më tepër në adresën “Riva Grumullo” nr.7. Nënkryetari i Bashkisë, z.Damiani, premtoi që njerës nga rrugët e reja që prisnin të emërtoheshin, do t’i vihej emri i A.Moisiut. Më pas z. R. Damiani më dërgonte një ftesë, ku thuhej se më 12 shkurt 1998, në Kopshtin publik “Muzio Tommasini”, në rrugën “Gilia”, do të zbulohej busti i A.Moisiut, vepër e skulptorit Ugo Cará, realizuar në bashkëpunim me Bashkinë.

Më 22.01.1986 ishte hapur në Trieste një ekspozitë, me 2 seksione, kushtuar A. Moisiut. Në të parin kishte dokumente të bibliotekës E.T.I të Teatro della Pergola di Firenze, ku ishte ruajtur fondi “Capodaglia”. Vanda Capodaglia, i shoqi Pio Campa dhe A.Moisiu, më 1933 kishin formuar kompaninë teatrale italiane. Ndërsa në seksionin e dytë ishin dokumentet e ardhura nga Osterreichische Nationalbibliothek të Vjenës. Dihet që, pas vdekjes, në sanatoriumin Kotazh të Vjenës, mbi trupin e A.Moisiut, kish hedhur Unazën tradicionale të Inflandit, aktori i mirënjohur Albert Baserman, i cili është shprehur: “Unë ta lë ty, mbi varrin tënd unazën e Inflandit”. Unaza e Inflandit u krijua, në kujtim të shkrimtarit dhe aktorit gjerman Infland. Që nga viti 1814 kjo unazë kalonte brez pas brezi, në dorën e aktorit më të madh të skenës gjermane. Hiri itrupit të Moisiut është varrosur në kodrat Markotte, në Lugano të Zvicrës. Sigurisht, për përkatësinë kombëtare të Moisiut nuk janë grindur popujt, siç janë grindur qytetet greke për vendlindjen e Homerit. Cvajg: “Moisiu – Njeri e Aktor, qytetar universal i mbretërisë së shenjtë të artit”.

Në Durrësin e lashtë, pranë mureve të kështjellës shekullore, ndodhet shtëpia e Moisive, aktualisht Muzeu i kulturës popullore. Në një dhomë të veçantë janë vendosur materialet e muzeut të A.Moisiut. Teatri “A.Moisiu”,i ngritur mbi termat romake të sh.II, ka pasur para disa vitesh, fare pranë, shkollën ku ka kryer arsimin fillor A.Moisiu. Por, tashmë që është zbuluar Forumi bizantin, fatkeqësisht nuk ekziston më. Dokumenti për dhënien e shtetësisë shqiptare Moisiut, është regjistruar në zyrën e gjendjes civile Durrës më 25.02.1934. Konsullata e Mbretërisë shqiptare në Vjenë ia kish dorëzuar Moisiut dokumentin e nënshtetësisë shqiptare me 10.02.1932. Në nëntor 1961 i jepej Moisiut, para kujtdo tjetër, titulli i lartë “Artist i Popullit” nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Fondacioni “A.Moisiu”, pas regjistrimit si person juridik, në gjykatën e rrethit Durrës, shpallej po në Durrës më 14.06.1994.

Nën patronazhin e z.Arqile Gorea, kryetar i bashkisë Durrës, Bashkia e Durrësit , teatri “A.Moisiu” dhe fondacioni “A.Moisiu”, organizuan ceremoninë festive të dhënies së titullit “Qytetar nderi i Durrësit” (pas vdekjes), Aleksandër Moisiut, aktorit me famë boterore. Morën fjalën zotërinjtë: Arqile Gorea, dr. Koço Moisiu, Bardhyl Kosova dhe Shpëtim Kodra. I konsideruar eksponenti më i madh i teatrit neoromantik dhe aktori më i madh i skenës kontemporane gjermane, A.Moisiu triumfoi në skenat më të rëndësishme të Evropës. Nga ana e tij, Moisiu kish manifestuar aq bukur ndjenjat e tij atdhedashëse në takimet e lidhjet e ngushta, që mbante me kolonitë shqiptare të Austrisë, Rumanisë, Italisë, apo Amerikës. Në takimin me studentët shqiptarë të Vjenës do të shprehej: “Sa frymëzohet zemra e shqiptarit, kur sheh para kaq të rinj shqiptarë të ndritur”.G. Presburger, shkrimtar dhe regjisor teatri e kinematografie, i kish kushtuar Moisiut dramën e tij “Heroi i skenës, hija e dashurisë”, ku spikat personaliteti epik i figurës dhe artit të aktorit tonë të madh. Në dramë aktori (Moisiu), thotë: “Jam shqiptar … Dëshiroj të studioj kanto”. Klara, që përfaqëson gruan e parë Maria Urfus, i kërkon të këndojë një këngë nga Shqipëria. Po në këtë dramë aktori i shquar Kainc i thotë Moisiut:”Me mua do të bëhesh aktor i madh. Si i tha Mikelanxhelo skulpturës së tij:”Fol Moisi”! Edhe unë të them:”Fol, Aleksandër”! Me teatrin e Reinhardit dhe të 100 trupave të tjera ndërkombëtare, Moisiu zhvilloi turne të shumta në skenat më të rëndësishme të Evropës, Amerikës dhe Japonisë. Realizoi rreth 200 role. Pothuajse gjysma e të cilëve janë personazhe të kryeveprave, nga antikiteti deri në kohët moderne. Një univers figurash komplekse, në të cilat mishëroi vlerat humane, universale.

Në universin e tij skenik shkëlqejnë si yje të ndritshëm figurat: Mori, Dantoni, Tasoja, Mefistofeli, Akili, Prometeu, Oresti, Mark Antoni, Don Zhuani, Rikardi II, Fedja, Romeo, Otelloja, Shejlloku…Pa qenë gjerman është interpretuesi më i mirë i Faustit, apo Franc Morit. Pa qenë anglez, është interpretuesi i pazëvendësueshëm i Hamletit, apo Henrikut IV. Pa qenë rus është interpretuesi i paarritshëm i Mishkinit, apo i Fedjas. Për Pirandelon interpretimi i Henrikut IV është absolutisht më i miri për Moisiun. Për Lunaçarskin Fausti i Moisiut është një apoteozë e inteligjencës. Edipi i Moisiut merr vlera të përgjithshme njerëzore. Fedja Protasovin e interpretoi 1200 herë. Cergoly e quan Moisiun “një lajmëtar gjenial të një revolucioni skenik”. Moisiu interpretoi në 12 filma artistikë, tre ndër të cilët me zë.

Si një figurë poliedrike, ka edhe mjaft shkrime për debutimin e tij në teatër, për teatrin gjerman, për Stanislavskin etj. Në artikullin “A gënjen aktori” shkruan:”Nëse personaliteti i një figure nuk pulson në zemrën time, për mua nuk ekziston as ndjenjë, as kënaqësi. Nëse në rol nuk gjej “thelbin”, atëherë praktikoj teknikën e mosekzistencës dhe depërtoj në jetë, në histori, në motivet e personazhit, derisa arrij “të mund të jem”, ose “të dukem se jam”. Më mjafton të mos harroj mbishkrimin e tempullit të Apollonit: “Njih vetveten!” Në skenë dilte pa makiazh, apo me pak makiazh. Por zotëronte një mimikë fenomenale. Kishte aftësi të pakrahasueshme për të ndërruar shprehjen e fytyrës. Aktualizonte figurat klasike, duke mos kërkuar gjeste artificiale e duke mos deklamuar me forcë, por me një zë të butë e të ngrohtë, si dhe me një vështrim me sy të shqetësuar e penetrues, nga rridhte drithërima e brendshme e shpirtit të thjeshtë e spontan, por edhe e një njeriu plot fantazi e temperament. Suksesi i tij vinte gjithnjë pas një mrekullie të thjeshtësisë, pas një shqiptimi të çdo fjale natyrshëm e saktë. R.Campa: “Zërin e tij, cezurat e papërsëritshme, kadencat misterioze e pauzat magjike, i kam në shpirt si një muzikë hyjnore”. Portreti i tij i ka shpëtuar erozionit të kohës. Mbetet një figurë simbol, një titan i skenës.