Nga BUJAR QESJA
Ditët që nisin me detin dhe mbarojnë me ëndrrën
Në Durrësin e lashtë, aty ku deti flet me erërat dhe historia endet në çdo rrugicë, ku dallgët përplaset me bregun si një ritëm i përjetshëm, lindin jo rrallë histori njerëzish, që i përkasin përmasave më të mëdha se vetja. Edmond Miha është pjesë e kësaj. Emër që nuk lidhet vetëm me futbollin, por me filozofinë e ndërtimit të tij, me formimin e brezave dhe me guximin, për të ndjekur bindjet edhe kur rruga bëhet e vështirë. Kjo është historia e një djaloshi, që ëndrrën për topin, nuk e la kurrë të shuhet, por e shndërroi në mision jete.
Që në hapat e para të jetës, ndjeu se futbolli nuk është vetëm lojë. Nuk është vetëm gëzim apo garë. Është mënyrë për të shprehur veten, për të kuptuar të tjerët dhe për të ndërtuar një identitet. Në kohën kur shumë bashkëmoshatarë, e shikonin topin si argëtim, Edmondi Miha e vështronte si enigmë për t’u zgjidhur. Kërkonte të kuptonte, pse loja zhvillohej në atë mënyrë? Pse një skuadër fitonte dhe tjetra jo? Çfarë e bënte diferencën, mes talentit dhe suksesit?
Durrësi i atyre viteve, ishte shkollë më vete. Nuk kishte luks, por kishte shpirt. Nuk kishte kushte perfekte, por kishte dëshirë. Dhe pikërisht në këtë mjedis, ku çdo gjë fitohej me përpjekje, u farkëtua një karakter, që më vonë do të përballej me sfida të mëdha pa u tërhequr.
Historia e Edmond Mihas, është ajo i një njeriu, që nuk u mjaftua me atë që kishte arritur. Kërkoi gjithmonë më shumë. Më shumë dije, më shumë kuptim, më shumë përmbajtje në çdo hap që hidhte. Dhe pikërisht kjo etje për përmirësim, e bëri të dalë përtej kufijve të një futbollisti apo trajneri të zakonshëm.
U bë një ndërtues. Një formues. Një njeri që e pa futbollin, si proçes edukimi, si mënyrë për të rritur individin dhe për të krijuar mendësi fituese, që shkon përtej fushës së lojës.
Kujtesë për Roksani dhe Vasil Miha
Çdo histori e madhe, ka fillim të heshtur. Nuk ka zhurmë, nuk ka duartrokitje, por themel të fortë që ndërtohet ditë pas dite, në mënyrë të padukshme. Pikërisht në këtë heshtje familjare, fillon edhe rrugëtimi i Edmond Mihas.
I lindur më 23 qershor 1956 në Durrës, u rrit në një familje ku jeta nuk ishte e lehtë, por e drejtë. I ati, Vasil Miha, ushtarak, ishte mishërimi i rregullit dhe i disiplinës. Në shtëpi, çdo gjë kishte vendin dhe kohën e vet. Fjalët nuk thuheshin kot, ndërsa përgjegjësia nuk ishte koncept abstrakt, por detyrim i përditshëm. Nga babai, Edmondi mësoi që rruga drejt çdo arritjeje, kalon përmes sakrificës dhe seriozitetit.
Në anën tjetër qëndronte e ëma, Roksani, grua punëtore, e përkushtuar në Uzinën e Radiotelevizorëve. Ajo përfaqësonte tjetër dimension të jetës. Durimin, përulësinë dhe dashurinë e heshtur, që nuk kërkonin shpërblim. Në mënyrën e saj të qetë, ndikoi thellë në formimin emocional të Edmondit, duke i dhënë atij aftësinë, për të qëndruar i balancuar edhe në momentet më të vështira.
Në një familje me tre djem, Edmondi ishte ai, që e ndjeu më fort thirrjen e fushës së blertë. Durrësi i asaj kohe, me hapësirat e tij, me energjinë e rinisë dhe me kulturën sportive që po formësohej, ishte terreni ideal për të ushqyer këtë pasion. Miha nuk mbeti vetëm djali që luante, por që mendonte për futbollin.
Fëmijëria nuk ishte e mbushur me komoditete. Rrugicat e Durrësit, sheshet e hapura dhe fushat e improvizuara, u bënë universiteti i parë i jetës së Mondit. Aty mësoi të luajë, por edhe të humbasë. Të përpiqet, por edhe të ngrihet sërish.
Por ajo që e dallonte nga të tjerët, ishte mënyra se si e përjetonte lojën. Ndërsa të tjerët e ndiqnin topin, ai ndiqte idenë e lojës. Vëzhgonte, analizonte, mendonte. Nuk ishte vetëm pjesëmarrës, por interpretues i hershëm i asaj që po ndodhte në fushë.
Në shtëpinë e çiftit Miha u ndërtua bindja, se njeriu duhet të jetë i përgjegjshëm për rrugën e vet. Se suksesi nuk dhurohet, por fitohet. Dhe se karakteri është më i rëndësishëm se çdo talent. Këto rrënjë, do ta shoqëronin Edmond Mihan në çdo hap të jetës. Në sukseset e mëdha dhe në vendimet e vështira. Në momentet kur duhej të qëndronte dhe në ato kur duhej të largohej.
Nga pasioni tek profesioni
Pas përfundimit të shkollës së mesme, Edmond Miha ndoqi studimet e larta në Institutin e Kulturës Fizike “Vojo Kushi”, specialitet futbolli. Ky ishte momenti, kur pasioni mori formë shkencore. Përthithi njohuri, por mbi gjithçka krijoi një filozofi. Futbolli nuk është vetëm talent, por edhe kombinim i mendjes, disiplinës dhe organizimit. Kalimi nga dashuria instinktive për futbollin, tek përvetësimi si profesion dhe si shkencë.
Ky ishte hap i madh, jo vetëm për karrierën, por për mënyrën se si do ta shihte futbollin për gjithë jetën. Në auditorët e universiteti të sporteve, Edmond Miha nuk mbeti një student që ndiqte leksionet. Ishte një mendje që kërkonte të depërtonte, përtej asaj që shihej në sipërfaqe. Studioi me kërshëri strukturën e lojës dhe organizimin taktik, mënyrën se si ndërtohet një skuadër, rëndësinë e përgatitjes fizike në raport me aspektin teknik, psikologjinë e sportistit dhe ndikimin në performancë.
Në këtë fazë, filloi të kristalizohej filozofia e tij personale. Kuptoi se futbolli, nuk është seri veprimesh të rastësishme, por sistem i organizuar, ku çdo lëvizje ka arsye dhe qëllim. Në këtë rrugë formimi, rol të rëndësishëm luajti edhe ndeshja me vështirësitë. Nuk ishte gjithmonë e lehtë, të përballoje kërkesat akademike, stërvitjen dhe ambicien për të qenë më i miri. Por pikërisht këto sfida, e forcuan më shumë
Në çdo hap të karrierës si trajner, studiues apo lektor, do të reflektohej pikërisht kjo periudhë, ndërthurje e fortë mes pasionit dhe dijes, mes intuitës dhe analizës, mes ndjenjës dhe arsyes. Në fund të kësaj etape, Edmond Miha nuk mori vetëm një diplomë, por kishte ndërtuar një identitet. Një mënyrë të të menduarit, që do ta udhëhiqte për gjithë jetën. Sepse ai nuk po ndiqte vetëm një profesion, por po ndërtonte një mision.
Rritja e futbollistit që e shihte lojën përtej lojës
Hapat e Edmond Mihas në futbollin e organizuar, nuk erdhën rastësisht. Kishte krijuar tashmë bagazh të pasur përvoje dhe mënyrë të veçantë të menduari. Kur veshi fanelën e ekipeve si “Shkëndija” e Tiranës dhe më pas “Lokomotiva” e Durrësit, Miha nuk ishte lojtar që duhej të mësonte gjithçka nga e para. Vinte me vizion të brendshëm për lojën.
Në “Shkëndijën”, ku arriti të mbante edhe shiritin e kapitenit, Edmond Miha filloi të shfaqte hapur cilësitë drejtuese. Kapiteni është përgjegjësi, që kërkon autoritet moral, qartësi mendimi dhe aftësi për të mbajtur skuadrën të bashkuar në momentet më të vështira. Në fushë ishte organizator. Lojtar që e shihte lojën si strukturë, ku çdo pjesë duhet të funksionojë në harmoni.
Tek “Lokomotiva”, lidhja me qytetin dhe shikuesin, u bë edhe më e fortë. Nuk luante vetëm për skuadrën, por edhe për identitet qytetar. Çdo ndeshje ishte përgjegjësi ndaj njerëzve që e ndiqnin dhe besonin tek ai. Dhe kjo përgjegjësi, e bëri edhe më të përkushtuar. Aktivizimi në nivele të larta, përfshirë edhe praninë në kombëtare, mbetën dëshmi e qartë e vlerave si futbollist. Edmond Mihën nuk ishte vetëm niveli ku luante, por mënyra si e përjetonte lojën.
Në shumë raste, ishte një hap përpara të tjerëve. Jo në treguesit fizike, por në shpejtësinë e mendimit. Dhe pikërisht këtu fillon të shihet qartë, lidhja mes futbollistit dhe trajnerit që do të vinte më pas. Në çdo lëvizje në fushë, në çdo vendim që merrte, në çdo udhëzim që u jepte shokëve të skuadrës, ishte e pranishme mendësia i një drejtuesi të ardhshëm.
Nga terrenet e lojës, Edmond Miha nuk doli vetëm me përvojë, por me vizion. Vizion që do ta çonte drejt pankinës, por jo si trajner i zakonshëm. Si një njeri, që e kishte jetuar lojën në çdo dimension dhe që tashmë, ishte gati ta udhëhiqte atë nga jashtë, me të njëjtin pasion dhe me kuptim edhe më të thellë.
“Teuta” një revolucion i qetë
Pas përfundimit të karrierës si lojtar, Edmond Miha kaloi natyrshëm në trajnim, aty ku do të linte gjurmën më të thellë. Është ndër themeluesit e KF Teuta në shtator të viti 1992, së bashku me Bashkim Kokën dhe Savri Nicën. Por më shumë se kaq, u bë arkitekti i një filozofie të re.
Rezultatet flasin vetë. Me të rinjtë, dy herë vendi i parë në grup. 1991–1992, “Lokomotiva” meriton vendin e tretë. 1992–1993, vendi i dytë dhe pjesëmarrje në kampionatin Ballkanik. 1993–1994, formacioni i pergatitur nga Edmond Miha, i kristalizuar prej vitesh, për herë të parë sjell titullin kampion në Durrës. Në fazën e dytë, i udhëhequr nga kolegu Haxhi Ballgjini. Miha ndërkohë kishte nisur karrierë tjetër.
Por suksesi, nuk ishte vetëm tek rezultatet. Ndërtoi një grup, me 14 lojtarë që më pas u bënë pjesë e ekipeve kombëtare, me mentalitet fituesish që në moshë të re, me disiplinë, seriozitet dhe komunikim aktiv.
Kalimi nga fusha në pankinë, është nga momentet më delikate në jetën e një futbollisti. Shumë prej tyre e provojnë, por pak arrijnë të lënë gjurmë. Për Edmond Mihan, ky kalim nuk ishte ndarje nga loja, por thellim i saj. Që në fillimet si trajner, u kuptua se nuk do të ishte drejtues i zakonshëm. Miha nuk kërkonte rezultate të shpejta pa themele. Kërkonte ndërtim. Kërkonte kohë, durim dhe mbi të gjitha besim tek ecuria.
Tek “Lokomotiva”, nisi të provojë idetë e tij. Me themelimin e KF “Teuta” në fillim të viteve ’90-të, filozofia e tij mori formë të plotë. Së bashku me kolegët Bashkim Koka dhe Savri Nica, hodhi bazat e një klubi që nuk do të ishte vetëm skuadër, por edhe një shkollë. Dhe si çdo ndërtues i vërtetë, nuk filloi nga maja, por nga rrënjët.
Mendja para këmbëve
Ajo që mbetet nga puna e Edmond Mihas, nuk është vetëm një titull kampion apo disa rezultate të mira. Është edhe mënyrë të menduari. Është një shkollë, që vazhdon të jetojë në lojtarët që formoi, në trajnerët që u ndikuan prej tij dhe në mënyrën, se si u konceptua futbolli në Durrës në atë periudhë.
Miha i dha qytetit jo vetëm një skuadër fituese, por edhe një identitet sportiv. Dhe kjo është arritja më e madhe e një trajneri, të ndërtojë diçka që vazhdon të ekzistojë edhe pasi ai largohet nga pankina. Filozofia e tij, mendja para këmbëve. Punonte, me imazhe mendore, me zhvillimin psikologjik të lojtarit, me krijimtarinë në stërvitje, me interpretimin individual në kuadër të lojës kolektive. E shikon futbollin si një proçes mendor.
Nëse do të duhej të përmblidhej në një fjali, thelbi i gjithë punës së Edmond Mihas, do të ishte e thjeshtë dhe njëkohësisht thellësisht domethënëse. Futbolli nuk luhet fillimisht me këmbë, por me mendje. Në një kohë kur shumë trajnerë e vendosin theksin, pothuajse tek përgatitja fizike dhe skemat taktike, Edmond Miha shkoi më thellë. Kërkoi të kuptojë burimin e vërtetë të performancës, mënyrën se si mendon lojtari, si e percepton lojën dhe si reagon ndaj saj në çaste vendimtare.
Edmond Miha nuk e trajtonte disiplinën si kufizim, por si strukturë mbi të cilën ndërtohet krijimtaria. U jepte lojtarëve kornizën taktike, por brenda saj i nxiste të shprehnin individualitetin. Stërvitjet ishin të larmishme, dinamike dhe të bazuara në përdorimin e topit. Shmangte monotoninë dhe kërkonte gjithmonë situata që sfidonin mendjen e lojtarit.
Në këtë mënyrë, skuadrat e tij nuk ishin anemike. Kishin jetë, fantazi dhe mbi të gjitha identitet. Nga shtyllat kryesore të filozofisë së tij, ishte ndërtimi i mentalitetit fitues. Nuk e konsideronte fitoren si rastësi, apo si moment të izoluar. Për të, fitorja mbetej rezultat i bindjes së brendshme, që kultivohet çdo ditë.
Vendim i dhimbshëm, por i domosdoshëm
Ka momente në jetën e çdo njeriu, kur suksesi nuk mjafton për të qëndruar. Kur arritjet, sado të mëdha të jenë, nuk e mbulojnë boshllëkun që krijon një mjedis i papërshtatshëm për zhvillim. Pikërisht në një nga këto udhëkryqe, u gjend Edmond Miha në fillim të pak para mesit të viteve 90-të.
Pas një pune të jashtëzakonshme me “Teutën”, pas ndërtimit të një brezi të ri futbollistësh dhe arritjes në maja inkurajuese të futbollit, logjika do të thoshte që të vazhdonte aty, të kristalizonte suksesin dhe të gëzonte frytet e punës. Por për njerëz si Edmond Miha, që jetojnë me ide dhe parime, logjika shpesh nuk mjafton. Ata kërkojnë kushte, ku këto ide mund të zhvillohen dhe të marrin jetë.
Realiteti i kohës në Shqipëri, ishte i vështirë. Ishte periudhë tranzicioni, me paqartësi, me mungesë strukture dhe me mjedis sportiv, që shpesh nuk arrinte të mbështeste në mënyrë të qëndrueshme vizionet afatgjata. Për një trajner që punonte me metoda moderne, që kërkonte disiplinë, organizim dhe vazhdimësi, ky realitet filloi të bëhej pengesë.
Miha e ka shprehur qartë, kur mjedisi nuk ofron elemente pozitive, ai nuk është më thjeshtë neutral, por bëhet frenues. Dhe për një njeri, që kishte ndërtuar gjithçka mbi zhvillimin dhe përparimin, kjo ishte e papranueshme. Vendimi për t’u larguar, nuk ishte akt impulsiv. Ishte reflektim i gjatë, peshim i thellë mes asaj që kishte arritur dhe asaj që mund të arrinte në të ardhmen. Nuk po largohej nga një vend pune. Po largohej nga një pjesë e jetës së tij, nga një qytet që e kishte formuar dhe nga një skuadër, që e kishte ndërtuar me duart e veta.
Por mbi të gjitha, po merrte edhe një vendim familjar. Sepse ky nuk ishte një rrugëtim individual. Ishte hap që përfshinte bashkëshorten dhe fëmijët, ndryshim i madh që kërkonte guxim dhe sakrificë. Në këtë moment karakteri i Edmond Mihas, u shfaq në formën më të qartë. Zgjodhi të mos qëndrojë në rehati. Zgjodhi të mos përshtatet me një realitet, që nuk e përfaqësonte. Zgjodhi të rrezikojë, për të mbrojtur atë që besonte.
Ky ishte akt i rrallë në vetvete, të largohesh jo sepse nuk ke arritur, por sepse dëshiron të arrish më shumë. Të largohesh jo nga dështimi, por nga kufizimi. La pas respektin e kolegëve, kujtimet e sukseseve dhe emër tashmë të vendosur në historinë e futbollit durrsak. Por nuk la pas bindjet e tij. Ato i mori me vete, si busull për rrugën e re që do të niste.
Largimi ishte fillimi i një kapitulli tjetër. Një kapitull ku do të përballej me realitete të reja, me kultura të ndryshme futbolli dhe me sfida që kërkonin përshtatje dhe forcë të brendshme. Por në esencë, mbeti i njëjti, njeri që kërkon terren ku mendimet të mos mbeten ide, por të shndërrohen në veprim. Sepse për Edmond Mihan, futbolli nuk është vetëm profesion. Është edhe një mision. Dhe misioni nuk ndalet përballë vështirësive. Gjen rrugë të reja për të vazhduar.
Maqedonia e Veriut realiteti që u kthye në rezultat
Hapja i një kapitulli të ri në Maqedoninë e Veriut, nuk ishte vetëm ndryshim vendi për Edmond Mihan. Mbeti një zhvendosje e madhe kulturore, sportive dhe psikologjike. Nuk po hynte në mjedis të panjohur si turist apo vëzhgues, por si një njeri me ide të qarta, me filozofi të ndërtuar dhe me mision, për ta vënë atë në provë reale.
“Shkëndija” e Tetovës, klubi ku mori drejtimin, përfaqësonte realitet krejt tjetër nga ai që kishte lënë pas në Durrës. Aty nuk bëhej fjalë vetëm për futbollin si lojë, por për një kompleks faktorësh, mentaliteti, tradita, presioni i rezultateve dhe dinamika e brendshme e klubit. Çdo gjë kërkonte jo vetëm aftësi teknike, por edhe tregues të thellë menaxheriale dhe njerëzore.
Që në ditët e para, Edmond Miha u përball me tri sfida kryesore që e përcaktuan gjithë punën e tij. E para ishte njohja e një mentaliteti tjetër futbolli, të ndikuar nga shkolla jugosllave, ku loja kishte strukturë të fortë fizike dhe taktike, por shpesh mungonte treguesi psikologjik.
E dyta, ishte kuptimi i situatave të brendshme të klubit dhe realitetit shoqëror përreth tij, ku çdo vendim sportiv kishte edhe dimensione të tjera më të ndërlikuara. Dhe e treta, ndoshta më e rëndësishmja, ishte transformimi i një skuadre që kishte mentalitet të ligës së dytë, në një skuadër që duhej të mendonte dhe të vepronte si ekip i ligës së parë.
Për shumë trajnerë, kjo do të ishte barrë e rëndë. Për Edmond Mihan, u kthye në sfidë intelektuale. Nuk erdhi për të ndryshuar vetëm formacionin apo skemën e lojës, por edhe mënyrën e të menduarit.
“Shkëndia” e Tetovës nga liga e dytë në të parën
Rezultatet nuk vonuan të shfaqeshin. “Shkëndija” kaloi nga ekip me mentalitet të kufizuar, në skuadër konkuruese në nivel të lartë. Ngjitja nga liga e dytë në ligën e parë, nuk ishte vetëm sukses sportiv, por transformim strukturor. Ishte dëshmi se një filozofi e mirë e zbatuar me disiplinë, mund të ndryshojë realitetin.
Më vonë, ky proçes u kristalizua edhe më tej, duke kulmuar me sukseset historike të klubit në vitet që pasuan, përfshirë edhe shpalljen kampion në Maqedoni në sezonin 2010–2011, si vazhdimësi i një themeli të ndërtuar më herët.
Në qendër të gjithë kësaj pune, qëndronte parimi i pandryshueshëm, zhvillimi mendor krijon energji për performancë. Miha besonte se një lojtar që mendon drejt, që beson në aftësitë e tij dhe që është i përgatitur psikologjikisht, mund të tejkalojë shumë kufij teknikë dhe fizikë. Për këtë arsye, i kushtonte shumë rëndësi jo vetëm stërvitjes në fushë, por edhe komunikimit me lojtarët, analizës së situatave dhe ndërtimit të mjedisit, ku mendimi pozitiv ishte pjesë e përditshmërisë.
Maqedonia e Veriut, nuk ishte vetëm një etapë karriere për Edmond Mihan. Ishte prova e madhe e platformës së punës. Aty u testua idea, se futbolli mund të ndryshohet përmes mendjes. Dhe rezultati tregoi, se kjo ide nuk ishte teorike, por plotësisht e zbatueshme. Edmondi nuk përshtati vetëm një skuadër, por mënyrë të të menduarit.
Austria tjetër kapitull
Në Austri Edmond Miha, hyri në një realitet të ri futbolli, në një kulturë tjetër sportive dhe në një mënyrë të ndryshme të të menduarit për jetën dhe profesionin. Austria, nuk ishte vazhdim i Maqedonisë së Veriut, apo Shqipërisë. Ishte një shkallë tjetër, mjedis më i strukturuar, më i disiplinuar dhe më kërkues në mënyrën e vet.
Për një specialist si Edmond Miha, i formuar me filozofinë e ndërtimit të mendësisë fituese dhe me idenë, se futbolli është një proçes i vazhdueshëm edukimi, kjo ishte një provë e re. Jo për të ndryshuar atë që ishte, por për të testuar nëse ajo që kishte ndërtuar, mund të funksiononte edhe në një kontekst tjetër europian.
Futbolli në Austri, sidomos në nivelet ku ai u angazhua, karakterizohej nga një organizim i fortë, nga respekti për sistemin dhe nga një disiplinë e qartë taktike. Klubet edhe në ligat inferiore, punonin me standarde të qëndrueshme dhe me kulturë pune, që kërkonte saktësi dhe vazhdimësi.
Në këtë mjedis Edmond Miha, u përball me sfidë interesante. U ndodh para dilemës, si të integrosh një filozofi krijuese dhe psikologjike në një sistem, që ishte shumë i strukturuar dhe i orientuar drejt efikasitetit.
Nuk erdhi në Austri, për ta prishur atë sistem. Erdhi për ta pasuruar atë me dimensionin njerëzor dhe mendor, që kishte kultivuar gjatë karrierës së tij. Angazhimi në klube si Neusiedl am See dhe më pas Bruck an der Leitha në ligat e treta austriake, nuk u trajtua si përvojë modeste sportive. U gjykua si laborator i ri pune, ku i krijohej mundësia të testonte idetë e tij në realitet tjetër.
Një nga sfidat më të mëdha për Edmond Mihën në Austri ishte përshtatja. Jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në atë kulturor dhe social. Gjuha, mënyra e komunikimit, ritmi i jetës dhe struktura profesionale, kërkonin nivel të lartë ndjeshmërie. Miha mbeti besnik i bindjes, se futbolli nuk është vetëm sistem taktik, por edhe proçes psikologjik dhe edukativ. Dhe këtë e integroi gradualisht në punën e tij të përditshme.
Familja, baza e qendrueshmërisë
Në jetën e Edmond Mihas, familja nuk ka qenë element dytësor përballë karrierës. Mbete struktura, që e ka bërë të mundur vetë karrierën. Në çdo vendim të rëndësishëm, qoftë largimi nga Shqipëria, sfidat në Maqedoninë e Veriut apo vendosja në Austri, dimensioni familjar ka qenë pjesë e pandarë e reflektimit dhe e zgjedhjes.
Ky ekuilibër midis jetës profesionale dhe asaj familjare, mbetet nga elementët që e dallon personalitetin e tij. Mondi nuk ka jetuar vetëm për futbollin. Ka jetuar edhe për një sistem më të gjerë vlerash, ku familja është baza e çdo suksesi të qëndrueshëm.
Në qendër të këtij themeli, qëndron bashkëshortja Mimoza Miha, profil që nuk ka qenë thjeshtë mbështetje, por bashkudhëtare aktive në një jetë të ndërtuar mbi lëvizje, ndryshime dhe sfida. Si mësuese e gjuhës angleze, përfaqëson tjetër dimension të dijes dhe edukimit, duke krijuar ekuilibër të natyrshëm me botën sportive të Edmondit.
Ky bashkim nuk ishte rastësi, por ndërthurje e dy botëve që e kuptonin njëra tjetrën, botën e disiplinës dhe botën e formimit njerëzor. Nga kjo familje janë rritur dy fëmijë, Roksela dhe Lediani, të cilët nuk përfaqësojnë vetëm vazhdimësinë biologjike të një familjeje, por edhe të një kulture pune, edukimi dhe përkushtimi.
Roksela Miha, mbaroi studimet për biznes manaxhim turizmi në Austri. Punoi 10-të vite si profesoreshë në Universitetin e Vienës. Krijoi familje në Amsterdam, Hollandë. Është profesoreshë dhe kryetare e komitetit të kurrikulumit në universitetin Inholland, për degën biznes manaxhim turizmi. Gëzimi i familjes së saj është djali tetë vjeçar Laurens.
Ledian Miha, mbaroi studimet në Vienë për bankë dhe financë ndërkombëtare. Edhe Lediani, punoi për 10-të vite në Raiffeisen Bank në Vienë. Tani është i angazhuar, si ekspert i bankave europiane në Hollandë.
Të dy fëmijët, në mënyra të ndryshme, pasqyrojnë një të përbashkët, kulturën e punës dhe seriozitetin që kanë marrë në familje. Familja e Edmond Mihas, nuk është vetëm histori personale. Është pjesë e pandashme, e historisë së tij profesionale.
Sepse pa këtë themel, asnjë rrugëtim i gjatë nuk do të kishte të njëjtën qëndrueshmëri.
Histori e thellë, e gjërë dhe e paharrueshme
Edmond Miha tani jeton një jetë të qetë, por të mbushur me kuptim. Nuk është më në pankinë, por filozofia e tij vazhdon të jetojë. Në çdo lojtar që formoi. Në çdo trajner që ndikoi. Në çdo ide që mbolli. Karakteri është forca që nuk shihet tek Edmond Miha, por ndihet. Është një njeri që nuk bëri zhurmë, por la gjurmë. Nuk ndoqi modën, por parimet.
Edmond Miha mbetet figurë e rrallë për karakterin e tij. Nuk bëri kompromis me bindjet. Nuk u dorëzua përballë vështirësive dhe nuk ndoqi rrugë të lehta. Ndërtoi rrugën e tij. Miha u bë urë lidhëse, mes shkollave të ndryshme të futbollit.
Për 12 vite, Edmond Miha ishte pjesë e elitës së trajnimit në nivel ndërkombëtar, si lektor për liçencimet UEFA. Ndau përvojën dhe filozofinë e tij, me trajnerë nga vende të ndryshme. Ky ishte vlerësim i madh, por edhe përgjegjësi që mbajti me krenari.
Përfaqësoi jo vetëm veten, por edhe shkollën shqiptare të futbollit.
Nga Durrësi në Maqedoninë e Veriut, nga “Shkëndija” në Austri, Edmond Miha nuk ndryshoi vetëm vendndodhje, por zgjeroi hapësirën e ndikimit të tij. Edmond Miha sot është në pension, por jo jashtë jetës. Vazhdon të jetojë aktivisht, me sport, me mendim dhe me kujtime, që nuk janë histori, por mësime.
Si çdo histori e madhe që lindi në Durrës edhe kjo e Edmond Mihas, mbetet e lidhur me detin, e thellë, e gjerë dhe e paharrueshme.

















