Nga Tomorr Kokona

Shoqata British-Albanian Culture and Arts (BACA) organisoi në ambientet e Ambasadës Shqiptare në Londër një mbrëmje të veçantë artistike me violinistin me famë ndërkombëtare Florian Vlashi, një takim i rrallë që bashkoi një audiencë të larmishme – artistë, profesionistë, dashamirës të kulturës dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe ndërkombëtar.

Mbrëmja u ndërtua si një dialog i ngrohtë dhe i thellë mes Tomorr Kokonës dhe Florian Vlashit, ku publiku pati mundësinë të udhëtonte nëpër faza të ndryshme të jetës dhe karrierës së artistit. Biseda nisi me fëmijërinë e tij në Shqipëri, një periudhë e formuar nga një mjedis i pasur intelektual dhe artistik. Florian Vlashi është djali i Gjergj Vlashit, një figurë e njohur e kulturës shqiptare. “Nderi i Kombit”, regjisor i teatrit, shkrimtar dhe perkthyes, i pari që ndër të tjera, solli Kafkën në shqip.

Rritja në një familje të tillë, e rrethuar nga libra dhe art, i dha Florianit një themel të fortë dashurie për kulturën dhe muzikën.

Programi artistik nuk ishte thjesht një rend interpretimesh, por një rrëfim i menduar me kujdes. Çdo pjesë muzikore përfaqësonte një etapë të jetës dhe të identitetit artistik të Vlashit. Nga tingujt e muzikës shqiptare, te ndikimet spanjolle dhe repertori ndërkombëtar, publiku përjetoi një udhëtim që ndërthuri kultura, kohë dhe emocione.

Interpretimi i veprës “Alla shqiptarçe” nga Vaso Tole solli një lidhje të drejtpërdrejtë me rrënjët shqiptare, ndërsa Tre miniatura spanjolle nga Jacobo Gaspar, Octavio Vázquez dhe Julián Samuel (vepra dedikuar Vlashit) reflektuan periudhën e tij krijuese dhe profesionale në Spanjë. Kulmi i mbrëmjes erdhi me interpretimin e veprës “A Paganini” nga Schnittke, një kompozim i thellë dhe sfidues që përmbylli ciklin artistik të mbrëmjes.

Floriani luajti me një violinë franceze nga Jacques Boquay, Paris 1700.

Në një tjetër shtresë më të thellë, programi pasqyroi filozofinë e jetës së artistit: kërkimin e ekuilibrit dhe artin si formë shërbimi. Nga fëmijëria te pjekuria, nga Shqipëria në botë dhe përsëri te rrënjët, mbrëmja u ndërtua si një cikël – një rikthim simbolik tek rrenjet, tek familja, tek identiteti.

Një fakt domethënës i ndarë gjatë bisedës ishte se Florian Vlashi ka realizuar mbi 200 premiera botërore me Grupo Instrumental Siglo XX, një dëshmi e kontributit të tij të jashtëzakonshëm në muzikën bashkëkohore ndërkombëtare.

Mbrëmja nuk ishte vetëm një koncert apo një bisedë – ishte një reflektim mbi jetën, artin dhe përgjegjësinë që mbart një artist. Një kujtesë se arti i vërtetë nuk është vetëm interpretim, por një urë mes brezave, popujve, kulturave dhe përvojave njerëzore.

Në fund, ajo që mbeti ishte ndjesia e një takimi të sinqertë, ku muzika dhe fjala u bashkuan për të krijuar një përvojë të rrallë – një mbrëmje që do të kujtohet jo vetëm për tingujt, por për thellësinë dhe autenticitetin që solli.