Nuk ka pushim për “djemtë e detit”. Pas fitores me përmbysje në “Selman Stërmasi”, durrsakët zbritën menjëherë në fushë për të nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës me Kukësin, që do të zhvillohet në mesjavë në “Niko Dovana”. Atmosfera në skuadër është mjaft pozitive pas suksesit në kryeqytet, pasi tani mbijetesa është edhe më afër. Diferenca me Kamzën është vetëm dy pikë, ndërsa  kanë parakaluar në klasifikim Vllazninë, edhe pse janë me pikë të barabarta. Por, për shkak të ndeshjeve direkte, bregdetarët ngjiten në vend të tetë.

Në dispozicion të stafit teknik ishte i gjithë grupi i futbollistëve, teksa stërvitja nisi me fjalë motivuese nga trajneri Gentjan Begeja, i cili i përgëzoi lojtarët për përmbysjen e madhe ndaj Partizanit.

“Bravo çuna, keni bërë një ndeshje mjaft të mirë duke marrë një fitore me vlera të mëdha, që na afron edhe më shumë me objektivin. Gjithmonë kam pasur besim te ju dhe e di se jeni një grup cilësor, gjë të cilën e treguat edhe ndaj Partizanit. Morëm një fitore shumë të rëndësishme dhe për këtë dua t’ju përgëzoj të gjithëve, edhe ata që nuk ishin në lojën dhanë kontributin e tyre. Megjithatë, në këtë moment nuk ka vend për eufori, pasi na pret një tjetër kundërshtar tepër i fortë dhe për më tepër ne duhet të shfrytëzojmë edhe faktin që Vllaznia dhe Kamza luajnë me njëratjetrën. Jam i bindur se nëse të gjithë vazhdojmë me këtë dëshirë dhe grintë, do ta sigurojmë mbijetesën edhe më shpejt. Tani të gjitha energjitë tuaja dua t’i fokusoni te ndeshja me Kukësin, ku kërkohet një tjetër fitore”, u tha 44-vjeçari futbollistëve.

Pas fjalimit të trajnerit, skuadra u nda në dy grupe. Lojtarët që ishin në fushë kundër Partizanit zhvilluan ushtrime shkrythëse, ndërsa pjesa tjetër punoi me ngarkesë të plotë. Për ndeshjen me Kukësin, në dispozicion të stafit teknik nuk do të jetë polivalenti Fabjan Beqja, i cili në ndeshjen me Partizanin plotësoi numrin katër të kartonëve të verdhë. Ai është një ‘xhol’ për stafin teknik, pasi mund të luajë në disa role në fushë, nga mbrojtës i djathtë, mesfushor krahu deri si sulmues.