Thuajse i gjithë grupi ishte në dispozicion të trajnerit Gentian Begeja, me përjashtim të portierëve Elhan Kastrati dhe Arlis Shala, si dhe mbrojtësi Esin Hakaj, të cilët janë grumbulluar nga ekipet kombëtare.

Kapiteni Arbër Çyrbja është stërvitur normalisht me grupin në ditët e fundit dhe do të jetë gati për takimin me Laçin, ku kërkohet fitorja e dytë radhazi. Përpara fillimit të stërvitjes, si zakonisht, trajneri Gentian Begeja mbajti fjalimin e tij përpara ekipit duke i kujtuar rëndësinë e ndeshjes me kurbinasit. 

"Kemi bërë mirë, por tani fillon më e vështira. Na pret një ndeshje shumë e vështirë, duhet të japim të gjithë maksimumin për të arritur te fitorja, pasi gara është shumë e ashpër. Nëse impenjohemi maksimalisht dhe luajmë si grup, jam i bindur se do ta thyejmë kundërshtarin. Gjendja në skuadër është e mirë, nuk kemi dëmtime dhe ky është një plus i madh që ne duhet ta shfrytëzojmë", mësohet t’u ketë thënë 44- vjeçari lojtarëve.

Situata në ekip është mjaft e mirë dhe në kampin durrsak besojnë se nga kjo javë do të largohen nga vendi i parafundit në klasifikim. Laçi është një kundërshtar mjaft i fortë, që ka surprizuar me paraqitjet e tij në këtë edicion, megjithatë "Djemtë e Detit" besojnë te forca e grupit.

Begeja duket se e ka gjetur "recetën" e suksesit dhe ekipi po merr rezultate pozitive javë pas jave. Tani diferenca me Vllazninë është vetëm një pikë dhe në javën e 27-të kuqeblutë luajnë kundër Skënderbeut që nuk di të ndalet në këtë kampionat.

Teuta shpreson që shkodranët të ndalen sërish për t’i parakaluar në klasifikim, edhe pse bregdetarët e dinë se nuk do të jetë aspak e lehtë të realizohet ky "ekuacion", pasi kurbinasit vijnë të motivuar për t'u kthyer me pikë në Laç.

Në dy fazat e para, të dyja ndeshjet mes Teutës dhe Laçit janë mbyllur në barazim, megjithatë tani situata ka ndryshuar. Barazimi nuk i bën punë as Begejas dhe as Mezanit për objektivat që kanë, ndaj në "Niko Dovana" pritet një ndeshje tepër e luftuar nga të dyja skuadrat.