Kryeministri Edi Rama ka folur për çështjen e Fredi Blerit në një intervistë për televizionin publik të Greqisë, ERT.

Kreu i qeverisë është shprehur se Beleri, i cili akuzohet për blerje votash, është i barabatë si të gjithë para drejtësisë në vendin tonë.

“Ai është shtetas i Republikës së Shqipërisë. Ai duhet të jetë i barabartë para ligjit si çdo shtetas tjetër shqiptar. Nuk mund të ketë dy gjyqësorë, një për shtetasit shqiptarë me origjinë shqiptare dhe një tjetër për shtetasit shqiptarë me origjinë greke. Ka një drejtësi. Edhe nëse nuk është perfekte, kjo drejtësi vlen për të gjithë”, tha Rama në intervistën për ERT.

Rama u është përgjigjur edhe kërcënimeve të Greqisë se do të pengojë integrimin e Shqipërisë në BE dhe se do të bllokojë fondet europiane.

 “Greqia që mendon se nëse topi nuk shkon në drejtimin që dëshiron Athina do të hakmerret ndaj Shqipërisë duke bllokuar procesin e anëtarësimit në BE, kjo nuk është evropiane dhe është shumë e vjetëruar për mendimin tim. Ne kemi interesa strategjike të rëndësishme, që janë në përputhje me domosdoshmërinë e një partneriteti miqësor dhe strategjik me Greqinë. Kjo vlen për të gjitha problemet, që nga kufijtë detarë e deri te heqja e ligjit të luftës nga Greqia. Jam i përkushtuar për këtë. Dhe vazhdoj të jem plotësisht i sigurt dhe i përkushtuar ndaj miqësisë sime me Kryeministrin e Greqisë”,-tha Rama.