I vetmi person i akuzuar dhe i arrestuar për përfshirje në sulmet terroriste të Brukselit është liruar për mungesë provash. Mediat belge kanë publikuar emrin e njeriut, i njohur si Faycal Cheffou. Ky i fundit u arrestua më 24 mars, në Bruksel, nën akuzën e "pjesëmarrjes në aktivitetet e grupit terrorist, vrasësve terroristë".

Por, pavarësisht dyshimeve dhe akuzave të rënda, ai është lënë i lirë pasi autoritetet nuk arritën të siguronin prova për akuzën e ngritur.

Ndërkohë, autoritetet belge kanë publikuar edhe pamje filmike me qëllim identifikikimin e të dyshuar të tretë, në sulmet me bomba të martës së kaluar në një aeroport në Bruksel. Sulmet në aeroport dhe në sistemin e metrosë së qytetit vranë 35 vetë dhe plagosën më shumë se 300. Autorësia e tyre u mor nga grupi i Shtetit Islamik.