Ledio Beqja është një nga futbollistët që është rikthyer nëliderin e Teutës. Në tri sezonet e fundit te Teuta ka zënë vendin e titullarit dhe tani është mesfushori kryesor i skuadrës. Beqja foli për sfidën me Tiranën dhe çfarë pret nga ky fundsezon Teuta. Ledio Beqja pranoi momentin e mirë që po kalon ekipi dhe beson që kundër Tiranës, Teuta do të jetë e fokusuar 100% dhe do të kërkojë maksimumin. Teuta tregoi kundër Partizanit, se kur angazhohet në maksimum mund këdo.

Çfarë ju ka munguar më parë?

Jo vetëm me Partizanin, në këtë sezon kemi treguar që me ekipet që janë lart në renditje kemi një bilanc pozitiv. Problemi ynë ka qenë me ekipit e poshtme të tabelës, që na kanë hapur probleme dhe kemi lënë pikë. Tani janë dhe 9 ndeshje deri në fund dhe shpresoj që të ruajmë vazhdimësinë dhe të arrijmë ato objektiva që kemi.

Deri ku mund të shkojë skuadra këtë sezon?

Jemi në fazën më interesante të kampionatit sepse na presin ndeshje të vështira, por unë mendoj që do t’i arrijmë ato objektiva që kemi, pasi jemi në luftë për t’u ngjitur lart në renditje. Na pret një ndeshje e vështirë me Tiranën dhe shpresojmë ta kalojmë me sukses.

Po kaloni një moment të mirë në aspektin personal, cili është çelësi i suksesit?

Nuk është që kam një çelës të veçantë, përveç se stërvitem mirë, mbaj regjimin e mirë, por më e rëndësishmja, jam gjithmonë me këmbë në tokë.

Si është gjendja e skuadrës në këto ditë përgatitore?

Gjendja e skuadrës është shumë e mirë. Harmonia dhe çdo gjë është në rregull, tani shpresojmë që t’ia dalim me sukses në ndeshjen me Tiranën.

Çfarë duhet të bëjë Teuta për të arritur objektivin?

Duhet të japim maksimumin tonë në të gjitha drejtimet. Të sulmojmë dhe të nxjerrim sa më shpejt të jetë e mundur golin. Të jemi perfektë dhe t’i studiojmë të gjitha lëvizjet e kundërshtarit, duke gjetur momentin e duhur për t’i goditur. Gjithashtu, duhet të jemi shumë të kujdesshëm në fazën mbrojtëse. Ta mbajmë me çdo kusht portën tonë të paprekur dhe të sulmojmë.