TIRANE, 01 mars 2013– Kryeministri Berisha ka inaguruar sot në shkollën “Petro Nini Luarasi” shërbimin elektronik e-Matura në portalin qeveritar e-Albania.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha theksoi se ky portal është hap i madh në rrugën e Shqipërisë dixhitale ndërsa premtoi se mandatin e ardhshëm do të zhvillillohet vrullshëm teknologjia e informacionit.
Gjithashtu kryeministri Berisha theksoi se gjatë këtyre viteve janë bërë hapa përpara sa i përket pranimeve të maturantëve në universitete duke elemininuar edhe korrupsionin.
“Pranimet në universitete më parë kanë qënë një panair i vërtetë korrupsioni. Më parë bëhej batërdia për të hyrë në universitete ndërsa sot ka zero ndërhyrje nga qeveria” tha Berisha.
Portali unik qeveritar e-Albania është pjesa qendrore e një bashkimi solid të qeverisë në aspektin e shërbimeve elektronike të ofruara ndaj qytetarit dhe biznesit. Portali është projektuar që të ndërveprojë si një qark inteligjent, duke shërbyer si një pikë e vetme aksesi për qytetarët, për të gjitha shërbimet e ofruara nga administrata publike dhe institucionet përfaqësuese të saj.
Ndërkohë, sot inagurohet shërbimi i parë në këtë portal, atë të maturës elektronike e cila nëpërmjet sistemit të Interoperabilitetit arrin të përthithë të dhënat e qytetarit, nxënësit në këtë rast në mënyrë unike duke i siguruar atij një identifikim 100% të saktë, në kohë reale dhe të sigurtë.
Ky projekt ka nisur në shkurt të vitit 2012 duke ngritur platformën dhe duke kryer studimin e duhur nga ana e prekshmërisë dhe impaktit sa më të thjeshtë ndaj qytetarit dhe biznesit. Në të njëjtën kohë u është kërkuar institucioneve që të përgatisin informacion mbi shërbimet që ofrojnë në bazë të një forme të gatshme të parapërgatitur nga AKSHI. Faza mbledhjes së infoomacionit është menaxhuar totalisht nga AKSHI e cila ka bërë edhe rol koordinues dhe saktësues me institucionet në mënyrë që këto shërbime të vinin në një formë sa më të përshtatshme për qytetarin nëpërmjet këtij portali.
Deri në këtë moment janë të listuara rreth 340 shërbime të hedhura në portal të cilat pasurohen dita-ditës. Gjithashtu në këtë portal, në vijueshmëri të sistemit të Interoperabilitetit do publikohet edhe sistemi i “Gjurmueshmërisë” i cili shumë shpejt do të bëjë të mundur gjurmueshmërinë e aplikimeve të qytetarit dhe biznesit, fillimisht për sistemet QKR, QKL, dhe APP duke proçeduar me sisteme të tjera në vazhdim.





