TIRANË- Kryeministri Berisha së bashku me bashkëshorten e tij, Liri Berisha, organizuan sot pasdite një ceremoni festive me fëmijët e komunitetit rom. 

Së bashku me këta fëmijë, kryeministri dhe zonja Liri Berisha ndezën dritat e pemës së madhe të vendosur në mjediset përpara Galerisë Kombëtare të Arteve, pemë e cila u pagëzua, si pema e këtyre fëmijëve. 

Në fjalën e tij të urimit, kreu i qeverisë tha se do bëjë gjithçka për të përmirësuar jetën e këtyre fëmijëve. 

“Unë e nis festën me ju më të bukurit, më të zgjuarit e gjithë Tiranës. Ju uroj me shumë zemër gëzuar këto festa, t’ja kaloni sa më bukur me njëri-tjetrin dhe me familjen. Të keni suksese në jetë e në shkollë, ju përqafoj të gjithëve! Do bëjmë gjithçka për të përmirësuar jetën tuaj, që ju të keni një jetë gjithnjë e më të mirë”,- tha Berisha. 

Më pas kryeministri dhe bashkëshortja e tij shpërndanë dhurata për fëmijët e komunitetit rom.