TIRANE – Këtë mbrëmje, në komunikimin e tij thuajse të përditshëm me ndjekësit e tij në Facebook, kryeministri Berisha kishte zgjedhur të tregonte një “rrëfenjëz për darkën e ngrirë”, siç e quan ai darkën e shtruar nga ish ministri Anastas Angjeli. Në barcaletën e treguar nga kyeministri nuk mbeti pa u përmendur edhe rivali i tij, Edi Rama.
Më poshtë gjeni tekstin e plotë të postimit të kryeministrit në Facebook.
"Të dashur miq! Një rrëfenjëz për darkën e ngrirë! Kështu e quajtën mediat në gazetën e gossip-it të tyre të kafeneve të kryeqytetit, darkën që Sekretari për Ekonominë dhe Financën i Partisë Socialiste Anastas Angjeli, (Caci ) shtroi në Sheraton ditën e emrit të tij, që për shpenzimet dhe të ftuarit mund të quhej dasma e emrit!
Sipas zakonit, Caci, të cilit më shumë hije i ka kuleta se fjala, falenderoi të ftuarit, ngriti dollinë dhe u ul duke pritur me padurim dhe emocion elozhet e kryetarit të tij z.Rama. Pas pak kohe, z.Rama u ngrit, falenderoi me përzemërsi Cacin për ftesën dhe, ndër të tjera, tha të dashur miq: Unë kam fatin e madh të mësoj të këshillohem e të frymëzohem çdo ditë për çështjet madhore të ekonomisë dhe financave, në këtë kohë krize rrënuese, nga një personalitet i shquar, i rrallë, me njohuri të nivelit më të lartë në këto fusha.
Të gjithë sytë e të ftuarve ishin drejtuar si prozhektor tek Caci!
Vetë atij i vërshoi adrenalina nga rrënjët e flokëve tek gishtërinjtë e këmbëve. Ai po përjetonte një gjendje më shumë se ekstaze që nuk e kishte provuar kurrë më parë. Me gotë në dore u ngrit i përgjëruar dhe gjysmë ndenjur në respekt të shefit të tij. Mirëpo, papritmas gjithçka në qenien e tij ngriu, madje ngrinë edhe krushqit, kamarierët, sazet dhe darka, përveç gotës së dollisë që se si ra nga dora dhe u bë copa në momentin kur shefi i tij tha se personi apo gjeniu në fjalë ishte gjysma e tij më e mirë, pikërisht zonja Basha.
Ç'pate? – i tha bashkëshortja Cacit. Hiç hiç, gotën ma morën duartrokitjet, u përgjigj ai, ndonëse i dukej se i kishte rënë jo tavani, por hoteli mbi kokë! – sb"





