TIRANE, 02 prill 2013– Kryeministri Sali Berisha ka reaguar në rrjetin social Facebook mbi marrëveshjen parazgjedhore Rama-Meta.
Reagimi bëhet një ditë pasi mediat mësuan mbi nënshkrimin e një marrëveshjeje mes aleatit të tij në qeverisje, Meta me kundërshtarin politik, Rama. Sipas Berishës, çdo forcë politike ka të drejtën të bëjë zgjedhjet e saj, ndërsa ai në postin e kryeministrit ka për detyrë të gjejë zgjidhje kushtetuese për çdo problem institucional që mund të krijohet.
“Mirëmëngjes miq! Një debat i gjerë ka shpërthyer lidhur me njoftimet se LSI do të vendos të lerë qeverinë. Qëndrimi im ka qenë dhe mbetet i pandryshuar se çdo forcë politike bën zgjedhjen që dëshiron. Natyrisht për mua, qeveria dhe qeverisja janë përgjegjësi që bëhen edhe më të mëdha në periudhë elektorale.
Me këtë rast dua të siguroj zgjedhësit se asgjë nuk do të cënojë vendosmërinë e qeverisë për organizimin e një procesi zgjedhor të lire dhe te ndershem ne perputhje me Kodin Zgjedhor dhe Kushtetuten e vendit. Së dyti, dua të garantoj qytetaret se Kushtetuta e vendit ka te gjitha percaktimet e qarta per zgjidhje plotesisht kushtetuese te çdo problemi institucional dhe se ajo do te respektohet me rigorozitet në frymen dhe germen e saj. Une mbetem totalisht i përkushtuar te punoje me te gjithe energjite e mia, ne interesin me te mire te qytetareve dhe te vendit. Pershendetje, sb”, shkruan Berisha në Facebook.





