Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha komentoi intervistën e kryeministrit Edi Rama për të përditshmen estoneze “Postimees”, ku u ndal te kritikat e kreut të qeverisë ndaj Europës për Rusinë. Me ironi Lideri i opozitës u shpreh se Rama ka filluar t’i japë këshilla Europës për Rusinë. Më tej, Berisha tha se opozita do të vazhdojë betejën e saj, teksa shtoi se mediat ndërkombëtare po mbështesin fuqishëm qëndrimet e PD-së.
“Ju e shihni, ai ka humbur, është i damkosur. E pyeste gazetari së fundmi në një intervistë në Estoni, pasi ia rreshtonte të gjitha akuzat për korrupsion, përgjigja e tij ishte ja pse Komisioni Evropian dhe institucionet e tjera na vlerësojnë ne për shkak të këtyre budallëqeve që thuhen kundër nesh.
Kjo ishte përgjigja e tij, një njeri që ka humbur mendjen dhe tani si një aset i regjistruar apo influent rus, ka filluar të japë këshilla Evropës për Rusinë. Dhe u thotë se Vladimir Vladimoriviçi, i drejtohet Putinit sikur të ishte nëpunës i administratës ruse, se në administratën ruse për afrim nuk i thonë presidenti Putin, por Vladimir Vladimiroviç. Edhe ky tani e ka marrë, se nga e mori, a ia tha Vuçiçi a kush ia tha, por këtë u thoshte aty.
Megjithatë ta lëmë atë, të vazhdojmë betejën tonë të vendosur në këtë përpjekje, ku kemi me vete qytetarët, mediat ndërkombëtare, të cilat mbështesin fuqishëm qëndrimet tona dhe natyrisht kemi një problem madhor me mafien e fjalës së lirë, të kontrolluar nga Edi Rama. Ndaj dhe kemi të drejtë që merremi me Edi Ramën se ai është ‘mater matrix’ i të këqijave të këtij vendi,” tha Berisha.





