Mediat amerikane kishin paralajmëruar se presidenti Joe Biden mund t’i jepte Ukrainës dritën jeshile për të përdorur armët amerikane për të sulmuar brenda territorit rus.

I gjendur në presion nga liderët evropianë Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka vendosur të heqë pjesërisht kufizimet për të përdorur armatimin amerikan.

Ndryshimi në politikën amerikane zbatohet vetëm për të mbrojtur zonën e Kharkiv, ku sulmet janë intensifikuar javët e fundit. Zyrtarët e lartë kanë nënvizuar se Uashingtoni i ka bërë thirrje Ukrainës të mos përdorë raketat ATACMS të ofruara nga Amerika ose raketa me rreze të gjatë veprimi për të goditur objektiva  brenda Rusisë.

Antony Blinken, Sekretari amerikan i Shtetit, kishte lënë të kuptohet më herët për ndryshimin e politikës në një takim të ministrave të jashtëm të NATO-s në Pragë të enjten.

Vendimi paraqet një ndryshim të qëndrimit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, i cili deri më tani, kishte refuzuar me vendosmëri që Ukraina të përdorte armatime amerikane për të kryer sulme brenda Rusisë.