Numri i vdekjeve në Hawaii është rritur sërish në një bilanc prej 89 personash, teksa flakët rrafshuan një qytet të tërë.

Më shumë se 2200 ndërtesa u dëmtuan dhe u shkatërruan, pasi zjarri shpërtheu në Lahaina, duke shkaktuar dëme prej 5.5 miliardë dollarësh. Ky është një nga zjarret më të rënda në SHBA gjatë 100 viteve të fundit dhe ka lënë pas mijëra persona të pastrehë.

Autoritetet Hawaii kanë nisur hetimet për shkaqet e zjarrit, ndërsa banorët kanë deklaruar se nuk ka pasur asnjë paralajmërim. Ishulli ka sirena alarmi për të paralajmëruar për fatkeqësi natyrore dhe kërcënime të tjera, por mendohet se nuk kanë rënë gjatë zjarrit.

Ndërtesat janë kthyer në gërmadha, hotelet dhe restorantet që presin miliona turistë janë shkatërruar totalisht.

Guvernatori Josh Green deklaroi se numri i viktimave pritet të rritet edhe më shumë, pasi e gjithë situata flakëve doli jashtë kontrollit. Puna po vijon ende për të identifikuar trupat dhe eshtrat, të cilat janë dërguar për testet e AND-së.