Gazeta gjermane Bild, ka nisur të botojë përgjimet e dosjes 339, të cilat sjellin një panoramë të frikshme ku zyrtarët socialistë i nënshtrohen kreut të një grupi kriminal.

Gjashtë përgjimet që pasojnë janë pjesë e një dosje zyrtare të mbikëqyrjes gjyqësore të një hetimi kriminal me numër 339/1, të zyrës së prokurorisë së antimafias sa i përket aktivitetit kriminal të një organizate ndërkombëtare të trafikut të drogës, të njohur si klani kriminal ‘Avdylaj’ në qytetin e Shijakut në Shqipëri.

Gjatë muajve të përgjimit, ndodh që në muajt pasues në vend mbahen zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 dhe klani kriminal i Avdylajve përfshihet rëndshëm në blerjen e votave dhe intimidimin e votuesve për llogari dhe në bashkëpunim të ngushtë me zyrtarët e lartë të Partisë Socialiste të kryeministrit Edi Rama, përfshi kryebashkiakun e Durrësit, qytetit të dytë më të madh në Shqipëri,” shkruan Bild.

Në një nga 6 përgjimet, Avdylaj ia del që të përfshijë Ilir Ndraxhin si kandidat në listat e PS. Më pas ai zgjidhet deputet. Kurse Avdylaj krenohet se do e surprizojë Ramën me një rezultat 10:0 në Durrës.

“Astrit Avylaj, kreu i grupit kriminal në Shijak, telefonon Arjan Ndraxhin, vëllain e “Lirit” (Ilir Ndraxhit) sot deputet i Partisë Socialiste. Avdylaj ka një kërkesë për kryeministrin Edi Rama, përmes kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako që Ilir Ndraxhi të përfshihet në listën e kandidatëve për deputet në Qarkun e Durrësit. Gjatë bisedës, bosi i krimit, Astrit Avdylaj telefonon vëllain e kandidatit socialist dhe e pyet atë nëse vëllai i tij, kandidat potencial, ka marrë një telefonatë (nga lart) për t’u konfirmuar si kandidat i PS. Gjithashtu, Astriti zotohet se do të punojë fort aq sa ata do të surprizojnë të gjatin (Edi Ramën) me një rezultat pozitiv ‘10:0’ .

Disa ditë më pas Ilir Ndraxhi konfirmohet si kandidat i PS për deputet në qarkun e Durrësit. Ndërkohë, Elton Arbana, atëherë kryetar i PS për Bashkinë e Shijakut është përmendur në një bisedë si kandidat për deputet që grupi kriminal Avdylaj është duke punuar për ta vënë në listë, por renditja në listë nuk është favorizuese (10-11). Më vonë marrëveshja ndryshon, Elton Arbana nuk është përfshirë në listë, por i është premtuar diçka e mirë. Elton Arbana është sot kandidat i PS në Bashkinë e Shijakut në zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019,” shkruan Bild.

PËRGJIMI

Biseda mes Astrit Avdylajt dhe Ajran Ndraxhit, vëllait të deputetit të PS në Shijak Ilir Ndraxhi

Vëllai i deputetit të PS Ndraxhi: Titi si je?

Astrit Avdylaj: Si je Arjan, si je, çkemi?

Vëllai i deputetit të PS Ndraxhi: Mirë mirë

Astrit Avdylaj: Ça bohet?

Vëllai i deputetit të PS Ndraxhi: Hiç mirë, ja po luaj me çunin. Mirë jeni?

Astrit Avdylaj: Asgjë të mora për qejf. Kam thirr andej apo akoma?

Vëllai i deputetit të PS Ndraxhi: Për ku ?

Astrit Avdylaj: A i kanë bërë ndonjë thirrje vëllait (Ilir Ndraxhi) apo jo?

Vëllai i deputetit të PS Ndraxhi: Jo mo, ai tha që do takohet me ty, dje kishte qenë Juvja ose nuk e di. Takoi Julin dhe tha do vijë nesër. Mori në darkë vonë rrijë nesër me Ridin, Astritin dhe Julin.

Astrit Avdylaj: Po

Vëllai i deputetit të PS Ndraxhi:  Dhe pastaj do takohej edhe me atë. Por me Gjushin ( Vangjush Dako, kryetar i bashkise Durrës) në fakt takohet për punë pune…

Astrit Avdylaj: Mirë mirë, unë po pres me një fjalë. Nëser, pasnesër më tha ai mua (Vangjush Dako, kryetar i bashkisë Durrës), kupton. E kena në xhep si më thon, e kupton vëllain tat.

Vëllai i deputetit të PS Ndraxhi: Po, po

Astrit Avdylaj: Ne vetëm po presim, ai më tha mua në 25, ishte aty edhe Eltoni (Arbana). Eltonit i dha o të 10 o të 11.

Vëllai i deputetit të PS Ndraxhi: Elton Arbana, epo mirë

Astrit Avdylaj: Unë jam duke punuar këtu…me një fjalë tek lagjia ime me njerëzit. Nuk kam dalë ndonjëherë në pazar, por jam duke takuar njerëzit, çdo njeri. E kam shumë shumë dhe duhet të jemi shumë të nderuar edhe nga ai siper (Edi Rama) që duhet të na shofi me një kështu…

Vëllai i deputetit të PS Ndraxhi: Po, e vërtetë

Astrit Avdylaj: Do të jap një 10 me 0 (fitore) që edhe ai vetë të habitet (Edi Rama)

Vëllai i deputetit të PS Ndraxhi: Bëji telefon Julit, mos shkoni të pini kafe atje te puna.

Astrit Avdylaj: Mirë, rrob zoti

Vëllai i deputetit të PS Ndraxhi: Ti e ke numrin e Julit

Astrit Avdylaj: Po e kem, a se e bëj vetë pa merak

Vëllai i deputetit të PS Ndraxhi: Shumë faleminderit

Astrit Avdylaj: Asgjë

Vëllai i deputetit të PS Ndraxhi: Mirupafshim