Një incident i ri diplomatik ka shpërthyer mes Italisë dhe Rusisë, pasi prezantuesi i njohur rus Vladimir Soloviev ka sulmuar me fyerje të rënda kryeministren italiane Giorgia Meloni gjatë një emisioni televiziv.

Gjatë programit “Polnyj Kontakt”, Soloviev, i njohur për qëndrimet e tij pro-Kremlinit dhe i dekoruar nga presidenti Vladimir Putin, përdori gjuhë të ashpër dhe ofenduese në italisht, duke e përshkruar Melonin me terma degradues.

Siç shkruan Corriere Della Sera, Soloviev e ka quajtur kryeministren italiane “një fashiste, një bishë natyrale, një idiote e çertifikuar, një grua e keqe” dhe madje duke arritur ta etiketojë si “Kur*a Meloni”.

Por jo vetëm kaq, prezantuesi vazhdoi edhe më tej dule thënë se Meloni është “një turp për racën njerëzore. Tradhtia është emri i saj i dytë: ka tradhtuar Trump-in, të cilit më parë i ishte betuar për besnikëri”. Të gjitha këto fjalë i tha në italisht, si për t’u siguruar që Meloni dhe populli italian do ta kuptonin.

Më pas prezantuesi vazhdoi në rusisht: “Evropa ka hyrë në luftë të drejtpërdrejtë me ne, e kemi dëgjuar nga Merz. Kjo Meloni, një krijesë fashiste e poshtër, që ka tradhtuar votuesit e saj duke kandiduar me slogane krejt të ndryshme…”. Dhe për ta përfunduar ai përdori fjalët: “Ky është realiteti”.

Deklaratat e tij janë dënuar gjerësisht nga spektri politik italian si të turpshme dhe të paprecedenta ndaj një lideri shtetëror.

Reagimi i autoriteteve italiane ishte i menjëhershëm. Ministri i Jashtëm Antonio Tajani njoftoi se ambasadori rus në Romë është thirrur për sqarime.

Nga ana e saj, Meloni reagoi publikisht në mbrëmje duke theksuar se “propagandistët e regjimit nuk mund të japin mësime për liri apo koherencë”.

Ajo vazhdoi: “Por sigurisht që këto karikatura nuk do të na bëjnë të ndryshojmë rrugë. Ne, ndryshe nga të tjerët, nuk kemi fije, nuk kemi zotërinj dhe nuk marrim urdhra. Busulla jonë mbetet një e vetme: interesi i Italisë. Dhe do të vazhdojmë ta ndjekim me krenari, pavarësisht propagandistëve të çdo gjerësie gjeografike.”

Solidaritet ndaj Melonit ka shprehur edhe presidenti italian Sergio Mattarella, ndërsa rasti ka thelluar më tej tensionet diplomatike mes Romës dhe Moskës, të cilat janë përkeqësuar që prej nisjes së luftës në Ukrainë në vitin 2022.

Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë të tensionuara edhe më parë, me dëbime reciproke diplomatike dhe përplasje të forta verbale. Kujtojmë se edhe vetë Mattarella ka qenë më herët objekt i sulmeve nga zyrtarë rusë, përfshirë zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.