* Debatet publike për buxhetin duhet të nisin 2 muaj para!

Në fillim të muajit dhjetor Këshilli Bashkiak i Durrësit me votat e së majtës miratoi paketën fiskale, të vitit 2016. Por grupet e interesit, në këtë rast komuniteti i biznesit e shoqëria civile, për herë të parë gjatë viteve të fundit, nuk janë njohur me këtë draft, pasi hartimi i tij është bërë në mungesë të plotë transparence. Andrea Xhavara kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Durrës, deklaroi për Durrës Lajm, se Dhoma e Tregtisë, nuk është vënë në dijeni për diskutimet.

“Nuk kam informacion në lidhje me miratimin e paketës së re fiskale. Ne si dhomë tregtie në Durrës, kemi për të dhënë opinionin tonë. Si paketa ashtu edhe buxheti i bashkisë, duhet të kenë informacion 8 javë para miratimit. Duhet të vijë drafti dhe duhet të tregohet sa e ngarkon qytetarin me taksa e tarifa bashkiake, sa tarifon buxhetin e familjarëve dhe sa para do të mbledhë bashkia nga biznesi? Edhe drafti i buxhetit 2 muaj para duhet të ketë dikutim me të gjithë grupet e interesit në media, duhet ballafaqim real, për të marrë në diskutim të gjitha propozimet, për të arritur në një optimum të paketës fiskale dhe të buzhetit” thotë Xhavara.

Gjatë viteve të shkuara ka qënë traditë që biznesi thirrej e diskutohej, por këtë vit, bashkia e ka bërë gjithçka vetë, pohon kreu i organizimit të biznesit në Durrës. “Duhet diskutim i hapur në media me palët e interesuara. Palët e përfshira do të maten mirë, qoftë administrata e bashkisë, ashtu edhe komuniteti i biznesit dhe shoqëria civile. Ky diskutim duhet të bëhet për dy muaj rresht dhe palët kanë mundësi të marrin e të japin, të bëjnë lëshimet e duhura për të arritur në konsensus, vendosjen e taksave dhe tarifave lokale, të qytetarëve dhe të biznesit”.

Biznesi akuzon bashkinë për mungesë dialogu dhe mungesa e dialogut po vërehet nga qeveria drejt pushteti lokal.

“Tani mungon bazamenti dhe pakti midis pushtetit vendor dhe komunitetit të biznesit. Dialogu këtë radhë ka munguar. Por kjo po vihet re edhe në paketën fiskale nacionale, edhe në buxhetin kombëtar e lokal. Kjo tregon paaftësi për të arritur kompromisin. Administrata e bashkisë do që t’i shkojë të vetes deri në fund dhe tregon që dialogu është fasadë”.

Në emër të biznesit durrsak Xhavara deklaron se qeveria po fut në spirale të errët të ardhmen e biznesit. “Ka një zhvillim të vrullshëm të vendimeve e të ligjeve në një kohë rekord. Brenda një muaji u morën vendime me pasoja të rënda mbi biznesin me pasurimin e kodit penal. Biznesi nuk u pyet, ju dha kohë për të arritur kompromisin e nuk u diskutua,” pohoi Xhavara.