13 nëntor 2015 – Prej dy ditësh kontrolli teknik i automjeteve në Durrës qëndron i bllokuar. Shkak është bërë bllokimi i sistemit të internetit nga qendra kryesore.

Me qindra automjete janë detyruar të presin për kolaudimin e automjeteve në qytetin e Durrësit. Kjo është e vetmja pikë që mbulon rreth 25 njësi vendore, që përfshin qytetin e Durrësit, Krujën Fushë-Krujën, Shijakun, Kavajën dhe bashkitë e komunat përreth.

Shoferët: Ne s'na lënë të marrim frymë, kurse shërbim s'na ofrojnë

Prej dy ditësh me radhë, shoferët paraqiten në kontrollin teknik të automjeteve për të bërë kontrollin periodik, por puna qëndron e bllokuar, për shkak se nuk ka shërbim. Shoferët i kërkojnë qeverisë dhe strukturave të tjera të marrin masa për të marrë shërbimin që kërkojnë.

“Taksat nëse i paguajmë një ditë me vonesë i kemi me gjobë. Ne nuk na lënë të marrim frymë, kurse shërbim nuk na ofrojnë. Këtu ka padrejtësi, sepse kemi dy ditë që vijmë dhe nuk bëhet asnjë gjë. Të merren masa e të mos na sorollasin jo sot po nesër, dhe punë të mos përfundojmë”, është apeli i shoferëve.

/K.H. portali DurresLajm/