Angli, 24 shkurt 2013 – Bojërat e flokëve të përdorura nga miliona gra në të gjithë botën përmbajnë kimikate që mund të shkaktojnë kancerin. Kështu bëjnë të ditur shkencëtarët britanikë pas një studimi të bërë kryesisht në vendin ishullor. Gjatë analizimit të përbërjeve të ngjyrave ata kanë hasur në kimikate që shumë lehtë mund të shkaktojnë kancerin, kryesisht kancerin e lëkurës.
Ky studim është botuar së fundmi në një revistë të njohur shkencore në Britani dhe në të thuhet se një e treta e grave dhe një në dhjetë meshkuj në botë janë të rrezikuar nga kjo sëmundje vdekjeprurëse.
Për këtë, shkencëtarët nga qyteti anglez Leeds, ku është bërë studimi u kanë bërë thirrje si njerëzve ashtu edhe prodhuesve të kozmetikës, në veçanti sektorit të prodhimit të ngjyrës së flokëve që të mundohen t’i shmangin kimikatet e dëmshme në ngjyra, por industria kozmetike ka kontestuar fuqishëm kërkesën e shkencëtarëve.
Ata paralajmërojnë se kimikatet të njohura si aminet sekondare, të cilat gjenden në të gjitha ngjyrat e flokëve mund të depërtojnë në lëkurë dhe në flokë të qëndrojnë me ditë, muaj apo dhe vjet.
Gjëja që shkakton shqetësimim më të madh është se këto kimikate të cilët ne mund t’i kemi në kokë reagojnë në tym duhani duke formuar kështu kimikate shumë helmuese të quajtur N-nitrosamines.
Shkencëtarët thonë se nuk ka rëndësi sesa është çmimi i bojës dhe kush është kompania prodhuese, pasi në të gjitha llojet janë këto kimikate.





