Takimi ‘blic’ i kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi në Durrës u bojkotua nga të gjithë drejtuesit e kësaj partie, që njihen si pjesë e grupit të kryetarit vendor Lefter Koka.
Ajo që paralajmëroi DurrësLajm në një shkrim të pak ditëve më parë, u bë sot realitet në takimin e Kryemadhit me strukturat. Vendimi i Kokës për të mbajtur mandatin e deputetit, duke qenë i vetmi nga deputetët e LSI-së që nuk iu bind vendimit të grupit ka shkaktuar edhe çarjen e madhe në degën e Durrësit, një nga më të rëndësishmet e kësaj force politike, pasi që nga viti 2009, Koka ka mundur të sigurojë një mandat deputeti, duke e çuar madje në dy mandate në zgjedhjet e 2017.
Krisja e parë e LSI Durrës u shfaq menjëherë pas zgjedhjeve, atëherë kur kandidati i tretë në listë, Flamur Gjuzi, bojkotoi festën e fitores. Gjuzi nuk pranoi mandatin e Nora Malajt, e dyta në listë, pasi ai vetë dha një kontribut të madh për sigurimin e votave për LSI, sidomos në bastionin e tij, në Rrashbull.
Por nëse në atë kohë gjithçka u mbyll me Kokën dhe Malajn që shkuan në Kuvend dhe Gjuzin që u zhgënjye nga mbetja jashtë listës fituese, mosdorëzimi i mandatit të Kokës, njëkohësisht kryetari dhe ndër themeluesit e degës së Durrësit ‘plasi bombën’ brenda selisë lokale.
Pa Kokën, Kryemadhi e ka të pamundur të kontrollojë degën e Durrësit, pasi ai është dora e hekurt dhe shumica e atyre që aderojnë në LSI janë njerëz të afruar prej tij.
Kryemadhi kërkoi sot nga strukturat që të jenë masivisht prezentë në çdo lagje, komunitet dhe derë më derë të të gjithë Durrësit. Por kush do ta bëjë këtë nga LSI Durrës, kur kryetari Koka refuzoi t’i bindej vendimit të lideres së partisë dhe krerët e Forumit Rinor dhe LGI Durrës janë njerëz pranë tij, që mbështesin vendimin e deputetit dhe jo kryetares Kryemadhi.
Nora Malaj në krah të Kryemadhit është shumë pak për të mbajtur nën kontroll degën dhe ndalur ‘avullimin’ e drejtuesve dhe anëtarësisë së Durrësit, që më shumë kanë përkrahur vendimin e Kokës sesa rreshtimin e Monikës përkrah Lulzim Bashës dhe djegien e mandateve, që ishin marrë ‘me gjak’.
Braktisja e mbledhjes sot nga krerët dhe figurat kryesore të LSI Durrës është dëshmi se Kryemadhit do t’i duhet punë për ta ringritur në këmbë degën, për më tepër që nuk dihet ende nëse ndonjëri nga kandidatët në listën e LSI-së do t’i bashkohen Kokës në parlament.
E kontaktuar mbrëmjen e sotme nga DurrësLajm, kandidatja Edlira Hyseni nuk ka pranuar të përgjigjet nëse do ta pranojë a jo mandatin e deputetit. Në bazë të kuotës gjinore, në rast mospranimi të Hysenit, KQZ do t’i drejtohet edhe tre kandidateve të tjera femra në listë; Ferdoza Izvira, Xhojana Gjineci dhe Arjola Koçi. Nëse asnjëra nuk do të pranojë, atëherë KQZ do t’i drejtohet kandidatit të tretë në listë, Flamur Gjuzit. I pyetur nga DurrësLajm, Gjuzi u shpreh se nuk e ka vendosur ende se si do të veprojë në këtë rast.
E kundërta ka ndodhur sot me kandidatët e PD-së në listën e Durrësit, të cilët konfirmuan të gjithë se nuk do ta pranojnë mandatin.
Dy reagime komplet të ndryshme, një PD lokale e unifikuar dhe një LSI që nuk dihet nëse do të mbijetojë a jo si degë lokale janë dy realitetet e opozitës në Durrës. Duket se me lëvizjet e fundit, PD ka mundur të lërë mënjanë ndarjet e hershme dhe të shtrëngojë rradhët, ndërsa LSI të shohë më shumë interesat personale të krerëve të saj, sesa të shfaqet e unifikuar si formacion politik.
M.B.