PUKË-Në rrethin e Pukës vijon të mbetet situatë e vështirë nga reshjet e borës dhe akulli ndërkohë që askush nuk merr masa për të lehtësuar jetën e banorëve në thellësi të veriut. 
Në të gjithë segmentet rrugore të rrethit të Pukës mungon kripa dhe skorje ndërkohë që askush nuk kujtohet për t’u ardhur në ndihmë banorëve në vështirësi. 

Segmentet rrugore Shkodër-Pukë, Pukë-Fushë Arrëz, Qafë Mali, Fushë Arrëz-Bajram Curri dhe Fushë Arrëz-Mirditë janë të kalueshme me zinxhir, ndërkohë që segmentet rurale përvec Qelzës dhe Kryeziut vijojnë të mbeten të gjitha të bllokuara. 
Situata mjaft problematike paraqitet edhe në rrugët e qytetit të Pukës ku mungon kripa dhe skorje ndërsa Bashkia e këtij qyteti nuk ka marrë masa në këtë drejtim. 

Banoret e Pukës e cilësojnë veten të harruar përballë situatës në të cilën janë lënë, ndërsa në shumë fshatra të komunave Iballë, Blerim Fierz e Qafë Mali mungon energjia elektrike si pasojë e dëmtimit të shtyllave dhe përcjellësve elektrike. 

Në rrugët e Pukës qarkullimi është evituar ndjeshëm si pasojë e rrezikshmërisë ndërsa shumë njerëz i janë kthyer qarkullimit në këmbë. Sot në rrugët e Pukës askush nuk punonte, ndërkohë që disa firma që janë shfaqur sikur do mirëmbajnë rrugët ashtu sic u shfaqën ashtu dhe u zhdukën ndërsa i vetmi mjet borëpastrues që punonte sot ishte në rrugën Qafë Mali-Bajram Curri. 
Neglizhencë, mungesë fondesh, apo abuzim këto janë pyetjet që drejtojnë pukjanët gjatë këtyre ditëve pa mundur të marrin një përgjigje.