Janë gjetur 44 trupa të prerë në copa brenda një pusi. Ngjarja makabër ka ndodhur në Meksikë, në shtetin Jalisco pranë Guadalajaras. Ka qenë era e keqe e kufomave që ka bërë që banorët të lajmërojnë autoritetet e zonës.

Ekspertët mjekoligjorë në Meksikë kanë arritur në Jalisco për të identifikuar 44 trupat e gjetur edhe pse kjo gjë ka qenë mjaft e vështirë.

BBC shkruan se mbetjet njerëzore janë gjetur të fshehura në 119 çanta të zeza. Pjesa më e madhe e trupave ishin prerë, kështu që autoritetet duhej të bashkonin pjesë të ndryshme për t’i identifikuar.

Shumë prej trupave ende mbeten të paidentifikuar. Jalisco është zemra e një prej bandave më të dhunshme të drogës në Meksikë. Kjo është gjetja e dytë më e madhe e trupave për këtë vit.