Kleriku i Kishës Katolike të Gjermanisë, kardinali Reinhard Marx i ka ofruar dorëheqjen Papa Françeskut, për shkak të skandaleve me abuzime seksuale të fëmijëve nëpër kisha.

“Është e rëndësishme që të ndaj përgjegjësinë për katastrofën e abuzimeve seksuale nga zyrtarët e kishës në dekadën e fundit”, ka thënë ai në letrën dërguar Papës.

Në letrën e tij, kardinali ka thënë se hetimet gjatë viteve të fundit kanë bërë publike “shumë dështime personale dhe gabime administrative”, por edhe “dështim sistematik institucional”.

Reinhard Marx, ka shërbyer si kryepeshkop i Mynihut. Papa është duke analizuar kërkesën e tij, derisa më herët ka dërguar dy peshkopë në Këln që hetojnë rastet e abuzimeve.

Në vitin 2018, në një studim të kryer nga vetë kisha, është gjetur që më shumë se 3,600 fëmijë në Gjermani ishin sulmuar seksualisht nga priftërinjtë katolikë në periudhën 1946-2014.

Vetëm 38% e të dyshuarve për kryerje të këtyre veprave janë gjykuar dhe shumica janë përballur me procedura të vogla disiplinore.

Rreth një në gjashtë raste ka përfshirë dhunimin, shumica e të cilëve kanë qenë djem dhe më shumë se gjysma kanë qenë të moshës 13-vjeçare apo më të rinj.

Dorëheqja e Marksit erdhi menjëherë pas një reforme mbi abuzimet, reformë e kërkuar nga Papa. Në fakt, me urdhër të Papa Françeskut , abuzimi i të miturve u formulua si një krim kundër dinjitetit të personit.