Kompanitë e njohura amerikane “Adidas”, “Nike” dhe “Puma” i bëjnë thirrje presidentit Donald Trump t’i japë fund sa më parë luftës tregtare me Kinën, duke e quajtur “katastrofike” vendosjen e tarifave të reja.

Përmes një letre drejtuar presidentit amerikan, prodhuesit e njohur të veshjeve sportive iu bashkuan më shumë se 170 kompanive të tjera, të cilat bëjnë apel që atletet e tyre të përjashtohen nga tarifat e reja në importet e Kinës.

Administrata amerikane ka rritur këtë muaj tarifat ekzistuese ndaj importeve kineze dhe po kërcënon t’i vendosë këto tarifa pothuajse në të gjitha produktet kineze të importuara në Shtetet e Bashkuara. Kjo do të përfshijë taksa shtesë për mallrat e konsumit, si ato elektronike dhe veshjet, duke përfshirë atletet dhe “smartphone”-t.

Kjo masë ka shkaktuar alarm te shitësit dhe prodhuesit, të cilët mbështeten te mallrat nga Kina.

“Tarifa shtesë e propozuar prej 25 për qind ndaj atleteve do të ishte katastrofike për konsumatorët tanë, kompanitë tona dhe ekonominë amerikane në tërësi”, thuhet në letrën e prodhuesve të njohur amerikanë.

Në letër thuhet se industria e këpucëve sportive tashmë paguan 3 miliardë dollarë detyrime dhe se tarifat shtesë do të rrisnin kostot dhe çmimet.