Në hijen e luftës kundër pasojave të pandemisë COVID-19 në Bashkimin Evropian (BE) gjatë tetë muajve të fundit shitjet e makinave të reja janë ulur me gati një të tretën krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Shoqata e Prodhuesve Evropianë të Automobilave (ACEA) njoftoi se në muajin gusht të këtij viti në tregun e BE-së janë shitur 769.525 automjete të reja, që është 18,9 përqind më pak krahasuar me shitjet e gushtit të vitit të kaluar.

Rënia më e madhe e shitjeve prej 51,9 përqind u regjistrua në Rumani, e ndjekur nga Estonia me 42,3 përqind, Bullgaria me 34,5, Republika Çeke me 33,6, Hungaria me 30,1, Greqia me 28,6, Gjermania me 20, Franca me 19.8 dhe Spanja me 10,1 përqind.

Në raport po ashtu theksohet se në tetë muajt e parë të vitit 2020 në 27 vendet anëtare të BE-së janë shitur gjithsej 6.123.852 automjete të reja, që është 32 përqind më pak në raport me shitjen në të njëjtin periudhë të vitit të kaluar.