Mbretëria e Bashkuar ka regjistruar një rekord të ri përsa i përket numrit të viktimave, pasi 1.820 persona humbën jetën nga koronavirusi në 24 orët e fundit. Vendi ka shënuar 38.905 raste të reja gjatë së mërkurës.

“Shërbimi kombëtar i shëndetit (NHS) është nën një trysni të madhe në mbarë vendin”, tha sekretari i shëndetësisë Matt Hancock të hënën, teksa shpjegoi se numri i të shtruarve në spitale është në nivelin më të lartë që prej fillimit të pandemisë.

Një qytetar shtrohet në spitalet e Britanisë çdo 30 sekonda, kanë deklaruar autoritetet. Britania ka miratuar përdorimin e tre vaksinave, përfshi këtu Pfizer, Moderna dhe atë të universitetit të Oxfordit.

Deri më tani, 4.609.740 qytetarë kanë marrë dozën e parë të vaksinës.

Qeveria është shprehur se shpreson që të ketë vaksinuar gjithë qytetarët më të rrezikuar dhe punonjësit në sektorin e shëndetësisë para mesit të shkurtit.