Nipi i kreut të kartelit më të madh të drogës në Sinaloa ‘El Chapo’, Enrique Homero Guzman Rocha, është gjetur i pajetë në makinën e tij. Trupi i tij u identifikua nga të afërmit para se të dërgohej për ekspertizë mjekësore.

Mediat ndërkombëtare kanë raportuar se ndaj 45-vjeçarit ishte organizuar një atentat, në qytetin Culiacan, të shtetit meksikano-verior, Sinaloa. Bëhet me dije se në këtë sulm ishin të përfshirë shtatë persona, shumica e të cilëve me veshje ushtarake.

Mësohet se ky është atentati i dytë që ishte organizuar ndaj tij, pasi Enrique Homero Guzman Rocha i kishte mbijetuar një atentati me eksploziv në makinë nga ku mori vetëm disa plagë të lehta.

Enrique është vëllai i një prej vrasësve më famëkeq të El Chapo-s, Juan Guzman Rocha i cili u vra në 2011 pasi u mor peng dhe u torturua nga bandat rivale.

Ky akt shënon një përkeqësim të luftës së përgjakur për kontroll brenda kartelit të Sinaloa-s, teksa edhe muajin që shkoi trupat e shtatë të dyshuarve si vrasës të kartelave ishin lënë në një rrugë të paasfaltuar në një zonë rurale.