Muaji tetor mbyllet me një bilanc dramatik për Italinë. Pandemia Covid-19 ka një përhapje të pakontrolluar në pjesën më të madhe të territorit italian dhe autoritetet janë në pritje të efekteve që masat e fundit shtrënguese të mund të reduktojnë numrin e viktimave dhe të të infektuarve.

Qyteti i Milanos dhe provincat rreth tij kane numrin më të lartë të infektuarve ndër qendrat e mëdha urbane e zërat mediatikë informojnë se autoritetet lokale po përgatiten të kthejnë këtë territor në një zonë të kuqe me një regjim lockdown të plotë.

Në 24 orët e fundit në provincën e Milanos janë shënuar 3.979 raste pozitive në 2 orë e 1.607 vetëm në qytetin e Milanos. Ndërsa në gjithë territorin italian janë regjistruar 31.758 të infektuar dhe 297 viktima. Në total janë kryer 215.886 tampone.

Numri i personave aktivë pozitivë është 351.386. Numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur 38.618, ndërsa i të infektuarve në 679.430. Në 24 orët e fundit janë shëruar 5.859 pacientë më shumë se një ditë më parë.