Deri më tani, India ka regjistruar më shumë se 28 milionë raste të personave të infektuar, ndërsa rastet ditore nganjëherë kanë shkuar në mbi 400 mijë. Sidoqoftë, ky numër të enjten ra në rreth 135 mijë, shkruan Reuters.

Në betejën për të mundur koronavirusin, India ka porositur 300 milionë doza të një vaksine të pamiratuar të COVID 19. Vaksina pa emër e prodhuar nga firma indiane Biological E është në fazën e 3 të testimit. Sipas një deklarate të bërë nga qeveria federale thuhet se vaksina ka treguar “rezultate premtuese” në dy fazat e para. Dozat e saj mendohet të jenë në dispozicion të njerëzve në muajt e ardhshëm.

Megjithëse numrat i rasteve me Covid ka rënë ndjeshëm, India ende po regjistron më shumë se 100,000 persona të infektuar  në ditë. Më pak se 10 përqind e popullsisë ka marrë të paktën një dozë të vaksinës. Vendi deri më tani ka regjistruar mbi 340,000 humbje me këtë virus, mirëpo ekspertët thonë se shifra mund të jetë shumë më e madhe.

Qeveria federale e Indisë, e udhëhequr nga Kryeministri Narendra Modi, është kritikuar për keqmenaxhimin e situatës pasi  nuk ka porositur në kohë vaksinat indiane apo të prodhuesve të huaj.