Këshilli i Ministrave në Itali, pas më shumë se dy orëve takim në lidhje me situatën e krijuar nga koronavirusi, miratoi dekretin “Cura Italia” (Kuro Italinë), ku sqarohen masat ekonomike në përgjigje të Covid-19.

Kryeministri Giuseppe Conte njoftoi se do të akordohen 25 miliardë euro në ndihmë të familjeve dhe bizneseve. Të gjithë të vetëpunësuarve që mbyllën bizneset do t’u jepet një çek prej 600 euro, vetëm për muajin mars si edhe do t’u shtyhen afatet e pagesave tatimore, raporton Ansa.

Familjeve do t’u pezullohen përkohësisht këstet e kredive për shtëpi. Dekreti akordon gjithashtu 1.2 miliardë euro për lejet e prindërve, që përkthehet në 50% të pagës. Po kështu do të ketë bonuse për familjet me fëmijë të mitur, me nevoja të veçanta, për stafin mjekësor etj. Brenda dekretit ka edhe specifika të veçanta për pacientët që vuajnë nga kanceri.

Kryeministri u shpreh se “masat mbështetëse janë një demonstrim i shtetit italian për emergjencën e koronavirusit”.

“Askush nuk duhet të ndihet i braktisur.”- tha më tej kreu i qeverisë italiane.

Conte theksoi se do të rriten investimet dhe ekonomia italiane do të rimëkëmbet me shpejtësi.