Krahas viktimave që po shtohen dita ditës, Italia tashmë po përballet me një problem akoma më të madh. Në një reagim për mediat, Presidentja e Shoqatës së Spitaleve në Itali, Simona Creazzola, ka thënë se ka mungesë barnash dhe spitalet nuk po furnizohen siç duhet.

TgCom citon Creazzola-n të ketë thënë: “Bëhet fjalë për sasi gjithnjë më të vogël të ilaçeve që ndihmojnë në lehtësimin e pasojave të koronavirusit, të cilat mungojnë në Lombardi dhe Veneto, por dhe në jug spitalet kanë nisur të shfaqin probleme”.

Sistemi shëndetësor italian është në kolaps, pasi koronavirusi është përhapur në masë dhe nuk ka më as shtretër për të sëmurë, por as vende në varreza për ata që humbin jetën. Ditën e djeshme u shënua numri më i madh  i vdekjeve në një ditë nga COVID-19, ku 475 persona humbën jetën si pasojë e virusit.

Ndërkohë në Bergamo ndërhyri ushtria për të transportuar arkivolet, pasi në varrezat dhe krematoriumin e qytetit nuk ka më vend.