Një automjet që lëvizte me shpejtësi është përplasur me turistët që shëtisnin orët e mbrëmjes në sheshin e famshëm e të tejmbushur të plazhit të Copacabanës në Rio de Janeiro, mbrëmjen e së enjtes.

Aksidenti i mori jetën një foshnjeje 8-muajshe dhe plagosi 15 persona.

Faqja e internetit “G1” raportoi se drejtuesi i mjetit, i cili u largua nga vendngjarja por u arrestua shumë shpejt nga policia, ka thënë se kishte pasur një krizë epileptike, e në automjet është gjendur gjithashtu një ilaç për epilepsinë.

Dëshmitarët thanë për rrjetin “Globo News” se makina kishte devijuar gjatë shëtitores buzë detit, duke goditur njerëzit e duke u përplasur me tabelat dhe karriget e lokaleve aty pranë, përpara se të ndalonte në rërën e plazhit.