Një automjet është përplasur me një turmë njerëzish në një nga rrugët e qytetit të Moskës.

Makina, që autoritetet ruse thonë se është e një agjencie shërbimi taksish, plagosi tetë persona.

Vendi i ngjarjes u mësy menjëherë nga forca të shumta policore dhe ato antiterror. Policia ruse paraprakisht përjashton pistën e një sulmi terrorist.

Në mediat vendase thuhet se drejtuesi i makinës, një shtetas rus 28-vjeçar, ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përplasur me turmën e njerëzve. Nga të dhënat e para, sipas mediave ruse, dyshohet se ai ishte në gjendje të dehur.

Pas ngjarjes janë publikuar edhe pamjet e rënda të momentit, kur shoferi devijon nga rruga duke u futur me shpejtësi në trotuar për të marrë përpara njerëzit.

Personat e plagosur janë shoqëruar menjëherë në spital, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë shëndetësore.

Autoritetet ruse të sigurisë janë vënë në gjendjen e gatishmërisë më të lartë për të shmangur sulmet terroriste, ndërkohë që akti në fjalë mbërrin pak orë pasi Departamenti Amerikan i Shtetit paralajmëroi qytetarët amerikanë për mundësinë e sulmeve terroriste gjatë ditëve në vijim të botërorit.