ITALI, 22 mars 2013 – Presidenti italian, Giorgio Napolitano mandatoi liderin e së majtës italiane, Pier Luigi Bersani për formimin e qeverisë së re. 

Napolitano priti në zyrat e tij kryetarin e Partisë Demokratike që fitoi zgjedhjet e 24 dhe 25 shkurtit që kaloi. Bersani mundi të sigurojë mazhorancën në Dhomën e Ulët, por jo mandatet e nevojshme në Senat për të formuar qeverinë pa qenë nevoja e një koalicioni. 

Që të mandatohet dhe të jetë e qendrueshme, qeveria në Itali duhet të gëzojë besimin e të dyja dhomave të parlamentit, si të Dhomës së Ulët ashtu edhe të Senatit. 

Mandatimi nga ana e presidentit Napoletano është hapi më i vogël i Bersanit drejt rrugës për formimin e qeverisë së re. Sfida e vërtetë është gjetja e votave të nevojshme në parlament për mbështetjen e qeverisë. Tre forcat kryesore që kontrollojnë shumicën dërrmuese të mandateve si në Dhomë ashtu edhe në Senat, PDL, PD dhe M5S e komedianit Beppe Grillo në gjithë këtë periudhë paszgjedhore kanë përjashtuar kategorikisht aleancat me njëra-tjetrën. 

Nëse brenda afateve ligjore, Bersani nuk mund të ndërtojë qeverinë e re, atëherë italianët do t’u drejtohen sërish kutive të votimit. 

Takimi i presidentit italian me Bersanin u zhvillua një ditë pas takimit që kreu i republikës italiane pati me Beppe Grillo-n, takim në të cilin, sipas mediave italiane, ky i fundit i ka kërkuar presidentit postin e kryeministrit për M5S në këmbim të mbështetjes së qeverisë së re.