Ish-presidenti francez, Jacques Chirac ka vdekur në moshën 86-vjeçare. Lajmin për vdekjen e ka dhënë familja e tij.

Chirac lindi me 29 nëntor 1932 në Paris dhe shërbeu në dy mandate si president i Francës nga viti 1995 deri në 2007 dhe ishte ai që futi në përdorim në vend monedhën euro.

Një nga reformat e tij kryesore politike ishte shkurtimi i mandatit presidencial nga shtatë në pesë vjet. Emri i tij u përfshi në disa skandale korrupsioni disa vite pasi kishte lënë postin e Presidentit. 

Ish-presidenti ishte tërhequr nga politika dhe jeta publike prej disa vitesh. Së fundmi jetonte me gruan e tij Bernadette në shtëpinë e tyre në Paris.

Në vitin 2005 ai pësoi një goditje në tru dhe para se të linte pallatin presidencial, u shtrua disa herënë spital. Kohët e fundit ai ishte shfaqur shumë pak në publik.