Debatet mes kandidatëve presidencialë të emëruar prej partive politike kryesore janë bërë një ngjarje e përhershme para-zgjedhore në Shtetet e Bashkuara. Deri tani, secili kandidat për president ka siguruar shumë përkrahës. Por ka ende njerëz të pavendosur që duhen bindur, vota e të cilëve mund të vendosë zgjedhjet.
 
Debatet mes kandidatëve presidencialë (zakonisht zhvillohen tre të tilla dhe nga një për pretendentët për nënpresident) shërbejnë si “fazë finale”, në garën për Shtëpinë e Bardhë. Gjatë pjesës më të madhe të fushatës, kandidatët paraqesin qëndrimet e tyre në mesazhe të shkurtra, të përshtatshme për transmetim në televizion. Por, shumë votues, para se të hedhin votën e tyre, duan që konkurrentët për Shtëpinë e Bardhë të japin më shumë detaje rreth çështjeve kryesore.
 
Debatet kanë si qëllim t’u ofrojnë kandidatëve mundësi më të mëdha për të shpalosur pikat kryesore të programit apo qëndrimin e tyre për çështje specifike të ndjeshme për opinionin publik. Edhe pse këto përballje të kandidatëve quhen debate, mënyra se si organizohen i ngjan më tepër një interviste, ku pyetjet u drejtohen kandidatëve nga një moderator i caktuar.

 

Prania e një drejtuesi është menduar si një mënyrë për të kontrolluar debatin. Dy debatet me intervistues janë të ndarë në çështje të politikës së brendshme dhe të jashtme. I treti organizohet si një debat në sallë, ku qytetarët mund t’u drejtojnë vëtë pyetje kandidatëve. Debatet televizive kanë qenë pjesë e të gjitha zgjedhjeve presidenciale që nga viti 1976, por ato u zhvilluan edhe në vitin 1960, kur u përballën senatori demokrat Xhon Kenedi dhe zv/Presidenti republikan, Richard Nixon.