Na ndajnë vetëm disa orë nga vendimi për Brexit.

Zyrtarët e BE dhe të Britanisë kanë rifilluar bisedimet e Brexit me shpresën që të arrijnë një marrëveshje, për të cilën mund të bien dakord liderët në një samit kyç të enjten.

Kryeministri Boris Johnson pritet të informojë kabinetin mbi përparimin e negociatave, që vazhdoi në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Burimet qeveritare thanë për BBC-së se shanset që Brexit do të ndodhë këtë javë po "zvogëlohen".

Kryenegociatori i BE-së, Michel Barnier, do të informojë anëtarët e bllokut mbi gjendjen e negociatave gjatë ditës së sotme.

Johnson po përballet me një garë kundër kohës për të arritur një marrëveshje të re Brexit para mbledhjes dy-ditore të liderëve të BE-së.

Çdo marrëveshje e arritur do publikohet, së bashku me një tekst ligjor, nëse 27 vendet e BE-së do ratifikojnë marrëveshjen e tërheqjes së Britanisë nga blloku në samitin e tyre.

Ky takim është thelbësor sepse sipas legjislacionit të miratuar muajin e kaluar, Benn Act, Johnson është i detyruar të kërkojë nga blloku shtyrje të Brexit nëse marrëveshja e re nuk aprovohet nga deputetët deri të shtunën.

Britania pritet të largohet nga BE më 31 tetor dhe Kryeministri ka insistuar vazhdimisht se kjo do ndodhë edhe nëse marrëveshja nuk arrihet.