Katër persona janë ekzekutuar në Indi në lidhje me përdhunimin në grup dhe më pas vrasjen e një studenteje në vitin 2012. Akshay Thakur, Vinay Sharma, Pawan Gupta dhe Mukesh Singh u dënuan me vdekje në vitin 2013. Ata u varën në burgun e sigurisë së lartë në Delhi.

Viktima e tyre vdiq disa ditë pas dëmtimeve që pësoi në incidentin që u shkaktua në një autobus. Kjo ngjarje shkaktoi zemërim mes njerëzve dhe çoi në miratimin e ligjeve të reja kundër përdhunimit në Indi.

Studentja e fizioterapisë ishte vetëm 23 vjeçe dhe në media u pagëzua me emrin Nirbhaya pasi nuk mund të publikohej identiteti i vërtetë.  Pas ngjarjes u arrestuan gjithsej gjashtë persona. Një prej tyre u gjet i vdekur në mars të 2013-s në qeli. Një person tjetër, vetëm 17 vjeç në kohën e sulmit u lirua në vitin 2015 pasi kreu 3 vite dënim në një qendër rehabilitimi.

Muajt e fundit, katër personat e dënuar i ishin drejtuar Gjykatës Supreme me një peticion për ta kthyer dënimin me vdekje në burg të përjetshëm. Por gjykata më e lartë e vendit e refuzoi kërkesën e tyre.

“Shtrëngova foton e vajzës dhe i thashë që më në fund morëm drejtësi”, ka treguar e ëma e viktimës pasi të dënuarit u varën.