Franca sërish po përballet me protesta të reja gjatë ditës së sotme. Qeveria i ka angazhuar rreth 90 mijë policë dhe zyrtarë tjerë të sigurisë për t’i kontrolluar veprimet e protestuesve. Rreth 8 mijë policë dhe 12 makina të blinduara të policisë janë vendosur vetëm në Paris, ndërsa deri tani janë mbledhur rreth një mijë protestues në qendër të qytetit.

Raportohet se të paktën 34 persona janë arrestuar në Paris, ndonëse ende nuk ka pasur akte dhune nga protestuesit. Seria e protestave filloi para tri javësh për ta kundërshtuar taksën për naftën. Javën e kaluar, qindra persona u arrestuan dhe shumë të tjerë u lënduan në protestën e dhunshme të Parisit, që ishte njëra ndër kryengritjet më të ashpra në dekadat e fundit.

Sot, rrugët e Parisit duken më të qeta se të shtunave të kaluara. Vetëm rreth një mijë persona janë mbledhur në qendër të Parisit. Ka pasur përleshje me policinë, por ende nuk është përdorur gaz lotsjellës dhe nuk është nxitur dhuna nga asnjëra palë.

Raportohet se shumica e protestuesve janë meshkuj të moshës 20 deri 40-vjeçare, sepse gratë dhe të moshuarit po i frikësohen shpërthimit të mundshëm të dhunës. Ministria e Brendshme ka deklaruar se pritet që në protestat e sotme të marrin pjesë rreth 10 mijë persona në mbarë vendin, shkruan “BBC”.