Forcat ajrore amerikane kanë rrëzuar një avion të ushtrisë siriane, teksa sipas tyre, ky veprim u ndërmor për motive vetëmbrojtjeje. Zyrtarët e SHBA-së thanë se mjeti fluturues kishte nisur të bombardonte në afërsi të disa zonave ku qëndrojnë rebelët e mbështetur prej tyre dhe se ishin të detyruar të vepronin në mënyrë të tillë. Veprimi i fundit përbën përplasjen e parë ajrore mes palëve, ndërsa ekspertët paralajmërojnë mundësinë e përshkallëzimit të tensioneve.

Që prej ardhjes në pushtet të Presidentit Donald Trump, ky është sulmi i dytë i drejtpërdrejtë ndaj forcave qeveritare siriane. Më herët, amerikanët bombarduan një bazë siriane pas sulmit me armë kimike ndaj popullsisë civile, gjë që shkaktoi zemëratën e Sirisë por edhe të Moskës zyrtare si një nga aleatët kryesorë të Assad. Qeveria e Damaskut nga ana tjetër, e dënoi sulmin e fundit me pretendimin se forcat ajrore po angazhoheshin në një mision kundër Shtetit Islamik. Ndërkohë, me interes do të pritet të shihet mënyra se si do të veprojë Rusia përballë një veprimi të tillë.