Shkëputje nga traditat/ SHBA masa të pashembullta sigurie në prag të inaugurimit presidencial

19/01/2021 - 07:49

Zyrtarët e sigurisë në Shtetet e Bashkuara thonë se po marrin të gjitha masat paraprake për të mbrojtur nga një sulm i mundshëm gjatë inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Joe Biden të mërkurën në shkallët e Kapitolit të SHBA, përfshirë kontrollin e sigurisë nga FBI-ja të 25,000 anëtarëve të Gardës Kombëtare të dislokuar në Uashington për ceremoninë.

“Megjithëse nuk kemi informacione zbulimi për ndonjë kërcënim të brendshëm, ne nuk po lëmë asnjë gur pa kthyer për të siguruar kryeqytetin,” tha në një deklaratë sekretari në detyrë i Mbrojtjes Christopher Miller. Ai tha se trupave po u bëhet trajnim shtesë ndërsa mbërrijnë në Uashington dhe u është thënë se “nëse shohin ose dëgjojnë diçka që nuk është e përshtatshme, t’ia raportojnë atë eprorëve të tyre në zinxhirin e komandës.”

Raportet e zbulimit amerikan kanë lënë të kuptohet që disa protestues që besojne se Presidenti në largim Donald Trump u privua nga rizgjedhja për shkak të mashtrimeve me votat, mund të përpiqen të prishin ceremoninë e betimit dhe inaugurimin e Biden. Vendi ku do të bëhet inaugurimi është i rrethuar me gardh të lartë të mbuluar me tela me gjemba, mes masave të pashembullta të sigurisë, që nuk janë parë në inaugurimet e kaluara.

Siguria është më në qendër se zakonisht, ndërsa inaugurimi vjen dy javë pasi mijëra mbështetës të Trump sulmuan Kapitolin pasi ai i nxiti ata të marshonin drejt ndërtesës, ndërsa ligjvënësit ishin mbledhur për të konfirmuar fitoren e Biden. Dy ditë para marrjes së pushtetit, Biden dhe gruaja e tij, Jill Biden, kaluan një pjesë të së hënës duke bërë punë vullnetare në një bankë ushqimore, në qytetin e madh lindor të Filadelfias në Pensilvani. Ata e bënë një gjë të tillë në Ditën Kombëtare të Shërbimit që përkujton festën vjetore që nderon udhëheqësin e të drejtave civile, Rev. Martin Luther King Jr.

Në Uashington, grupet ushtarake dhe muzikore marshuan përpara Shtëpisë së Bardhë, duke bërë prova për paradën inauguruese të Biden, megjithëse aktiviteti është reduktuar ndjeshëm krahasuar me inaugurimet e mëparshme për shkak të numrit në rritje të rasteve të koronavirusit në SHBA. Pjesa më e madhe e kremtimit të inaugurimit të Biden do të zhvillohet virtualisht, me grupe dhe banda muzikore që do të interpretojnë nga të 50 shtetet e SHBA-së.

Ndërsa mbërrijnë në Uashington të Martën nga shtëpia e tyre në shtetin lindor të Deluerw, Joe dhe Jill Biden, si edhe nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris dhe bashkëshorti i saj, Douglas Emhoff, planifikojnë të ndezin 400 drita pranë memorialit Lincoln, për të nderuar gati 400,000 amerikanët që kanë vdekur në pandeminë e koronavirusit.

Monumente të tjera në të gjithë SHBA, përfshirë Empire State Building në Nju Jork dhe Space Needle në Seattle, Washington, po ndezin drita në të njëjtën kohë me ngjarjen e Uashingtonit. Zona e afërt përreth Kapitolit, ku Biden dhe Harris do të bëjnë betimin, është kthyer praktikisht në një fortesë të blinduar.

Autoritetet kanë mbyllur gjithashtu Shëtitoren Kombëtare si edhe rrugët dhe disa stacione metroje në qendrën e Uashingtonit. Urat që lidhin Virxhinian me Uashingtonin gjithashtu po mbyllen. Mijëra trupa të Gardës Kombëtare dhe oficerë të rendit janë vendosur në të gjithë zonën për të marrë masat ndaj ndonjë dhune të mundshme. Megjithë shqetësimet e shtuara të sigurisë, Biden planifikon ta bëjë ceremoninë e inaugurimit në vendin tradicional. “Plani ynë dhe pritshmëria jonë është që Presidenti i zgjedhur Biden të vërë dorën në Bibël me familjen e tij jashtë në anën perëndimore të Kapitolit në datën 20,” tha Kate Bedingfield, drejtoresha e ardhshme e komunikimeve e Biden, në një intervistë me emisionin “This Week”, të televizionit ABC të dielën.

Ajo tha se ekipi i Biden ka “besim të plotë në Shërbimin Sekret të Shteteve të Bashkuara dhe partnerët e tyre të cilët kanë punuar për më shumë se një vit në planifikimin e një inaugurimi të sigurt.” Presidenti Trump ka refuzuar të pranojë humbjen ose të urojë Biden, megjithëse e pranon se do të ketë një “administratë të re” të mërkurën. Trump, duke injoruar 160 vjet të traditës amerikane të një presidenti në largim që merr pjesë në ceremoninë e betimit të pasardhësit të tij për të demonstruar një transferim paqësor të pushtetit, ka njoftuar se ai planifikon të mos marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit. Nënpresidenti Mike Pence po planifikon të marrë pjesë.

Trump po planifikon të largohet nga Uashingtoni të mërkurën në mëngjes me një ceremoni me tapet të kuq ndërsa shkon drejt avionit presidencial Air Force One për të shkuar në rezidencën e tij në Florida. Plani i presidentit Trump ka shkaktuar kritika, përfshirë nga një grup prej pesë anëtarësh demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve të cilët në një letër të shtunën drejtuar sekretarit në detyrë të mbrojtjes, Miller dhe Kreut të Shtatmadhorisë Mark Milley i kërkoi Pentagonit të mos vënë në dispozicion asnjë nga burimet e mbrojtjes për atë që ata e quajtën “ceremonia përçarëse e ikjes për presidentin në largim.”

“Veprimi i propozuar është i pamenduar, jokonvencional dhe çka është më e rëndësishmja, e vë sigurinë kombëtare pa nevojë në rrezik duke zhvendosur personelin dhe burimet thelbësore nga mbrojtja e Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, ku do të përfaqësohen të gjitha institucionet e qeverisë, për të garantuar sigurinë, mbrojtjen dhe transportin e presidentit në largim,” shkruajnë ligjvënësit.

Dhoma e Përfaqësuesve javën e kaluar ngriti akuza për herë të dytë për shkarkimin e Trump, këtë radhë për nxitje të rebelimit dhe gjyqi i tij në Senat do të fillojë menjëherë pas inaugurimit të Biden. Nëse shpallet fajtor, Trump, presidenti i parë amerikan mbi të cilin ngrihen dy herë akuza për shkarkim, mund të ndalohet të ketë post federal.

Megjithatë para se të largohet nga detyra, presidenti Trump pritet të bëjë dhjetëra falje dhe shkurtime dënimesh komutime, ndoshta për mbështetësit e tij kryesorë të dënuar për krime ose që përballen me gjykime.

Persona që kanë dijeni për këtë çështje thanë se Trump u takua të dielën me këshilltarët e tij për të finalizuar një listë me më shumë se 100 falje që t’i bëjë publike përpara se t’i mbarojë mandati. Këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë kanë thënë se zoti Trump ka diskutuar mundësinë e faljes paraprake të tij dhe anëtarëve të tjerë të familjes, asnjëri prej të cilëve nuk është akuzuar për ndonjë krim, por që tani nuk pritet ta bëjë një gjë të tillë.

Zonja Bedingfield tha të dielën se Biden po planifikon të paraqesë një vizion “pozitiv, optimist” për vendin në fjalimin e tij inaugurues dhe “të përpiqet të lërë pas përçarjen dhe urrejtjen e katër viteve të fundit” nën Trump.

“Mendoj se këtë duan amerikanët në të gjithë vendin,” tha Bedingfield. “Ata duan një qeveri që të rikthejë vëmendjen tek ajo që duhet bërë dhe që t’i ndihmojë në jetën e tyre të përditshme.”. Pasi të marrë detyrën Biden ka në plan të përmbysë shpejt politikat e shumta të Trump. Shefi i ardhshëm i kabinetit i Shtëpisë së Bardhë, Ron Klain, tha të shtunën në mbrëmje se Biden “po e merr presidencën në një moment krize të thellë për vendin tonë. Ne po përballemi me katër kriza paralele dhe të ndërlikuara: kriza e COVID-19-së, kriza ekonomike si rezultat i pandemisë, kriza e klimës dhe një krizë e pabarazisë racore.”/VOA

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Një masë akulli prej 1.270 kilometrash katrorë u shkëput nga shelfi i akullit Brunt në perëndim të Antarktidës.

Një polic në Virxhinia ka humbur jetën pasi është qëlluar me armë gjatë detyrës.

Arkeologët në Itali kanë zbuluar një karrocë ceremoniale pranë qytetit antik romak të Pompeit.

Me rreth 20 000 vdekje nga koronavirusi që nga fillimi i pandemisë, Republika Çeke shtrëngoi sërish kufizimet, ndërkohë që sistemi shënde

Themeluesit e prodhuesit të vaksinave, BioNTech do të nderohen me urdhrin më të lartë të meritës për angazhimin e tyre kundër pandemisë s

Një video që po qarkullon në rrjet prej pak ditësh ka tërhequr jo pak vëmendje dhe ka shqetësuar vendin e tij.

Brazili po përballet me “një tragjedi” të shkaktuar nga “një valë e re” e pandemisë Covid-19, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në bazë të treguesve të  analizës së të dhënave të fundit nga Komiteti tekniko-shkencor, ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza sapo ka

Konservatorët amerikanë vlerësuan Donald Trump-in në një mbledhje vjetore të premten, duke zbuluar madje një statujë të artë të ish-presi