Mijëra qytetarë, të zemëruar me liderët politikë në Liban, kanë dalë në rrugë për të protestuar për të dytën ditë rradhazi, pasi shpërthimi i fuqishëm në Bejrut la të vdekur të paktën 154 persona.

BBC raporton se policia përdori gaz lotsjellës ndaj demonstruesve, të cilët akuzojnë qeverinë për ngjarjen e rëndë.

Qytetarët do të marshojnë sot në zonën e shkatërruar nga shpërthimi në pjesën ku ndodhet porti i qytetit. Ata u shprehën se kjo protestë po ashtu është për të përkujtuar viktimat dhe mbi 5 mijë të plagosurit nga shpërthimi, por edhe për të shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë.

Shpërthimi ndodhi më 4 gusht, në portin e qytetit, në një depozitë nitrati amoni që mbante më shumë se 2500 tonë nga substanca e rrezikshme që përdoret edhe për bomba.

Sipas raportimeve, më shumë se 300 mijë persona kanë mbetur pa shtëpi dhe thuajse 50% e godinave në Bejrut kanë pësuar dëmtime pas shpërthimit tragjik.

Kostot ekonomike të kësaj tragjedie mendohet të arrijnë te 5 miliardë dollarë, duke çuar në prag të falimentimit Libanin, një shtet që ishte në vështirësi ekonomike edhe para tragjedisë, me protesta të shumta që po zhvilloheshin në të gjithë vendin.